Sot Kisha kremtoi Shën Sikstin II papë e shokët e tij, martirë.
(07.08.2007 RV)Sipas Librit të Papëve, Shën Siksti u zgjodh në Selinë e Shën
Pjetrit në vitin 257, pas vdekjes së Papës Shtjefni II. Shën Çipriani, që e quan ‘meshtar
i mirë e paqësor’, tregon, në një letër drejtuar ipeshkvit afrikan Suksesit, persekutimin
e vitit 258 pas Ediktit të dytë të Valerianit. Sipas këtij Edikti, ipeshkvijtë, meshtarët
e diakonët dënoheshin me prerjen e kokës, ndërsa Kisha shpronësohej nga çdo pasuri,
duke përfshirë edhe varrezat. Sipas Papës Damasi, Shën Sikstin e kapën pikërisht
në varreza, ku po kumtonte Fjalën Hyjnore. Ka mundësi që ngjarja të ketë ndodhur në
katakombet e Shën Kalistit, që shërbenin edhe si Kishë e nëndheshme, në atë kohë të
rëndë persekutimi. Papa Siksti ishte i shoqëruar nga shtatë diakonë, kur e arrestuan.
Nuk i burgosën, por ua prenë menjëherë kokat, duke shtuar në radhët e shenjtorëve
të Kishës katolike, shtatë emra të rinj: Siksti, Feliçisimi, Agapito, Gjenaro, Manjo,
Vinçenci e Shtjefni. I teti, Lorenci protodiakon, u mbyt tri ditë më pas në rrugën
romake Tiburtina.Siksti II pushon në paqe në varrezën e Shën Kalistit pranë kriptës
së Shën Çeçilies.