2007-08-07 18:17:38

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, Emisioni VI.


(07.08.2007 RV) “Zemra ime i përket Krishtit” – këtu fillon e mbaron madhështia e Gruas, që u bë Nëna e Botës e u lartua në nderimet e lterit pa i mbushur pesë vjet nga dita kur u nis drejt shtëpisë së Atit, të cilit i kishte kushtuar gjithë jetën. E këtë Motra e Zojës së Loretos na e tregon në emisionin e gjashtë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën”, kushtuar murgeshës së bamirësisë, të cilën e kemi ftuar simbolikisht të na flasë mbi jetën e saj, duke shfletuar librin “Jeta ime’. Fjala që hap e mbyll tregimin e saj të sotëm është: Unë i përkas plotësisht Krishtit:
Në vitin 1948, pasi kisha ndenjur dhjetë vjet në Indi, vendosa të zgjedh një rrugë të re, që më çonte ndërmjet të varfërve më të varfër.
Ishte thirrje e posaçme kjo, që më shtyu të hiqja dorë nga gjithçka, për t’iu kushtuar plotësisht Krishtit.
Krishti më thirri në rrugën për në Dajerling.
Mesazhi i tij ishte tepër i qartë: duhet të largohesha nga kuvendi e të punoja ndërmjet të varfërve, duke jetuar me ta, duke u bërë një prej tyre.
E dija ku duhet të shkoja, por nuk e dija akoma si do të arrija atje ku po më thërriste vetë Zoti.
Zoti dëshironte që unë të isha e varfër me të varfërit e ta doja, në sa ai vetë bëhej i varfër ndërmjet të varfërve.
Isha e sigurtë se nuk do të kisha pengesa.
E vërtetë, sapo ia tregova dëshirën time Eprores së Kongregatës dhe kryeipeshkvit të Kalkutës, ata e kuputuan se ky ishte vullneti i Hyjit, se ishte Hyji që e kërkonte.
I shkrova Eprores sime të përgjithshme, duke e njoftuar se Zoti po më thërriste në shërbim të tij, përmes shërbimit ndaj të varfërve më të varëfër të lagjeve të jashtme të qytetit.
Mora kështu bekimin: bekimin e dëgjesës.
Si e mora këtë bekim, nuk pata më kurrfarë dyshimi se mos gabohesha.
Nganjëherë mund të të krijohet ideja e dështimit.
Por edhe në se do të dështoja, ky do të ishte dështim para syve të njerëzve, jo para syve të Zotit, që më kishte thirrur...
Nuk ishte fjala për të hequr dorë nga ndonjë gjë e veçantë: Krishti më kishte thirrur për të qenë e tija, e unë e tija do të isha më shumë se kurrë.
Po ndryshonte vetëm ana e jashtme e apostullimit, në sa po nisesha në rrugë të madhe për t’u shërbyer të varfërve më të varfër.
Puna që bëjmë s’është gjë tjetër, veçse një mjet për ta treguar konkretisht sa e duam Krishtin.
(Shumë-shumë mund të them se po ndërroja formën e punës; po përdorja formë e mjete të tjera, që nevojiteshin për të punuar ndërmjet të varfërve më të varfër).Thirrja në vetvete, dmth përkushtimi i plotë ndaj Krishtit, mbetej i pandryshueshëm.
Madje, bëhej shumë më i thellë.
Dashuria ime për Krishtin thellohej në saje të këtij flijimi të madh. Prandaj flas për “thirrje brënda thirrjes”.Thirrja e re më bënte t’i përkisja edhe më shumë Krishtit, të isha plotësisht e Tija, vetëm e Tija.







All the contents on this site are copyrighted ©.