2007-08-07 18:14:05

Klandestinët sakrifikohen për të mbrojtur kufijtë evropianë prej tyre


(07.08.2007 RV)RealAudioMP3 Viktimat e emigracionit klandestin, që nga Afrika sjell përditë njerëz të dëshpëruar në Evropë, janë me qindra. Pjesa e detit, që përshin ujrat ndërmjet Libisë, Maltës dhe Siçilisë është kthyer në një varr të përbashkët. Gabriele del Grande, një gazetar italian, themelues i Fortress Europe(Fortres Jurop), observator mediatik mbi viktimat e emigracionit klandestin, ka ndjekur rrugët e këtij emigracioni, duke mbledhur dëshmitë e personave që kanë mbijetuar. Nga kjo përvojë ka lindur libri i parë i tij “Mamadu shkon të vdesë” publikuar nga Shtëpia Botuese “Infinito Edizioni”. Vetë autori në mikrofonin tonë, na shpjegon se ç’përballon zakonisht një emigrant klandestin:
Kush niset sot nga Afrika Perëndimore për të arritur në Libi, prej ku niset për në Siçili, duhet të përshkojë më parë shkretëtirën e Saharës. Kjo bëhet me një fuoristradë, apo me një kamion e në shkretëtirën e Saharës kanë gjetur vdekjen 1079 vetë, por ky është një numër më i vogël se realiteti. Ekziston edhe një situatë shumë e rëndë në vendet e bregdetit jugor të Mesdheut, po mendoj sidomos për Libinë, ku bëhen dhunime të vazhdueshme të të drejtave të këtyre personave. Vetëm në muajin maj, janë arrestuar 2137 vetë, që mbahen për muaj të tërë në burgjet libike, për t’u kthyer më pas në vendet e tyre të origjinës. E nëse personat nuk vdesin në shkretëtirë, nuk arrestohen, nuk futen në burg, ku torturohen me muaj, nuk u mbetet tjetër veçse të hidhen në mes të detit e të shpresojnë se çdo gjë do të shkojë mbarë.
Sa persona mbijetojnë?
Në Itali, vitin e kaluar, mbërritën 20 mijë vetë, një numër pak më i vogël se vitin e mëparshëm. Këtë vit po vijnë edhe më pak, madje në Lampeduza, zbarkimet janë përgjysmuar. Sigurisht, shumë më tepër se më parë mbeten të bllokuar në vendet e tranzitit. Shumë persona, kur arrijnë në Libi apo në Marok, nuk kanë më mjete për të vazhduar udhëtimin. Ka nga ata që çohen në bregdetin jugor të Mesdheut, ekziston kjo praktikë, sipas së cilës ata shoqërohen në kufi, edhe sikur ky kufi të jetë shkretëtira. Qindra, mijëra persona bllokohen në oazet e shkretëtirës ndërmjet Algjerisë dhe Malit, ose ndërmjet Libisë e Sudanit. Pastaj ka nga ata që s’ia dalin dot, që mbyten në mes të detit. Në Kanalin e Siçilisë po ndodh një masakër e vërtetë. Në qershor humbën jetën së paku 139 vetë e askush nuk e di se ç’ndodh në ujrat ndërkombëtare, aty ku nuk ka dëshmitarë. Nga viti 1988 deri më sot, në Kanalin e Siçilisë kemi dokumentuar 2148 viktima.
Fakti që këto zbarkime po pakësohen tregon se fenomeni po ridimensionohet, apo ka ndonjë shpjegim tjetër?
Fenomeni nuk po ridimensionohet, pasi presioni emigrues mbetet i lartë dhe mundësia për të emigruar ligjërisht është praktikisht zero. Sot, një brez i tërë në Afrikë nuk mund të marrë viza. Nëse nga njëra anë zvogëlohet mundësia për hyrje në një vend, nga ana tjetër do të rritet pa dyshim presioni i klandestinëve. Këtë na mëson shembulli i Spanjës, e cila largoi emigrantët nga Çeuta e Melila në vitin 2005. U arrestuan 1500 vetë, 17 u vranë nga plumbat që përpiqeshin të ndalonin emigrantët të kapërcenin telat. Njerëzit u braktisën në mes të shkretëtirës e pastaj u larguan me forcë nëpër vendet e tyre të origjinës. Vitin tjetër, pati një bum arritjesh në ishujt Kanarie, gjashtë herë më shumë se në vitet e mëparshme.
Ju keni udhëtuar për tre muaj gjatë rrugëve të emigrantëve klandestinë, sëbashku me ta. Ka ndonjë histori që ju ka prekur më shumë?
Historia e një gruaje të arrestuar me fëmijën tre muajsh, ngarkuar në një konteiner sëbashku me 50 persona të tjerë dhe transportuar për 1500 kilometra, dy ditë udhëtim, pa pasur mundësi as të merrte frymë në ajër të pastër. Braktisur në mes të shkretëtirës me fëmijën e vogël, shpëtoi falë disa emigrantëve të tjerë, që kishin me vete para, e me to arritën të korruptojnë shoferin libik, që i ktheu mbrapsht, përndryshe do të kishin pësuar fatin e mijëra personave që vdesin për ujë në mes të shkretëtirës.
Për ty si italian, si evropian perëndimor, ç’vlerë ka pasur kjo eksperiencë?
Vështirë të imagjinohet sot se pak orë lundrim nga brigjet tona, po ndodh fundi i botës. Një brez i tërë pëson një seri abuzimesh shumë të rënda, për shkak të mbrojtjes së kufijve tanë.
Cila është rruga, sipas jush, për t’u dhënë një të ardhme personave që janë gati të bëhen emigrantë klandestinë?
Në plan të parë, është solidariteti për zhvillimin dhe paqtimin e vendeve nga ku nisen këta persona. Askush nuk e braktis vendin e vet, nëse jeton mirë në të. E pastaj, të krijohet mobilitet, si për ata që kërkojnë strehim politik, ashtu edhe për ata që duan të përmirësojnë kushtet e tyre ekonomike e shpesh, vërtet nuk kanë rrugë tjetër: duhet të vijnë me një govatë në mes të detit.







All the contents on this site are copyrighted ©.