2007-08-07 18:16:51

Kardinali Martino çoi në Ugandë mesazhin e paqes e të solidaritetit të Papës.


(07.08.2007 RV)RealAudioMP3 Përfundoi sot misioni i kardinalit Renato Rafaele Martino në Ugandë. Kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, që ndodhet në Kampala, kryeqytet i vendit, qysh të premten e kaluar, i çoi mesazhin e paqes e të solidaritetit të Benediktit XVI këtyre popullsive afrikane, për të cilat sot kremtoi Meshën përfundimtare në katedralen e Gulusë, në Veri të vendit. Në këtë mision e shoqëroi atë Gjulio Albaneze, që na flet nga Gulu. Ta dëgjojmë:
“Në praninë e një turme të madhe besimtarësh, duke iu drejtuar gjatë homelisë posaçërisht ipeshkvijve bashkëkremtues, imzot Gjon Baptist Odama dhe kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore ugandeze, imzot Sekamania – Kardinali kujtoi se paqja është dhuratë e Hyjit, por për të kanë përgjegjësi të gjitha kishat e jo më pak edhe populli i Zotit. Tani që në Ugandën veriore nuk luftohet më, duhen krijuar kushtet për shërimin e plagëve të shkaktuara nga urrejtja e dhuna. Në këtë këndvështrim, një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar ish–fëmijëve ushtarë, që u detyruan të rrokin armët e të njollosen me krime të shëmtuara. Kjo rini, e djegur nga historia, duhet të rilindë nga Krishti – tha kardinali Martino. Bashkësitë famullitare, organizmat jo qeveritare, shoqëritë civile e kanë për detyrë t’i shoqërojnë këta të rinj- viktima lufte, në se duan të mos përsëritet kurrë më ajo që ndodhi këto vite në Ugandë.
Por nuk është kjo hera e parë që kardinali Martino bën thirrje në favor të fëmijëve ushtarë.
Dje, në Kampala, Hirësia e Tij u takua me një delegacion misionarësh, me të cilët foli për dramën e ish-fëmijëve ushtarë: problem – theksoi kardinali – që nuk mund të konsiderohet i zgjidhur, vetëm sepse përfundoi konflikti, në një vend ku deri dje këta të mitur u detyruan të përdorin armët. Të dëgjojmë përsëri Atë Gjulio Albanezen:
“Kardinali uroi vëmendje më të madhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për t’i bërë ballë një emergjence, që mbetet çështje e hapur në shumë vende, ku marrëveshjet e arritura përmes bisedimeve, nuk kanë mundur t’i përfshijnë me sukses ish-luftëtarët në jetën e shoqërisë civile. Kardinali Martino theksoi se fëmijët-ushtarë nuk duhet të përfundojnë në mes të rrugës e se kanë nevojë urgjente për solidaritet, për shkollim të shëndoshë në radhë të parë, e për shoqërim hap pas hapi, derisa të radhiten plotësisht të përgatitur, në botën e punës. Prandaj – theksoi kardinali Martino, donatorët ndërkombëtarë duhet të impenjohen për të siguruar financimet e nevojshme për projektet e rehabilitimit të ish të miturve ushtarë. Në prag të nisjes nga Uganda, kardinali Renato Rafaele Martino, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, u shpreh kështu në mikrofonin e Radio Vatikanit:
Përgjigje: - Po largohem plot shpresë, sepse duke krahasuar dy vizitat – atë që bëra në vitin 2003 e këtë të këtyre ditëve, në vend të atmosferës së dëshpërimit e të pesimizmit të vizitës së parë, gjeta atmosferën e bisedimeve për paqe, që vijojnë. Atmosferë vërtetë pozitive, pasojat e së cilës ndjehen edhe në kampet e të shpërngulurve, që duan të kthehen sa më shpejt në vatrat e tyre, në tokat e tyre… Ndjehet fort atmosfera e shpresës dhe e paqes e jam vërtetë i lumtur që munda të sjell, në emër të Papës, solidaritetin e bekimin e Tij.
Pyetje: - Si u prit mesazhi që çuat në emër të Papës?
Përgjigje: - Eh!! Nuk mund ta përfytyroni me sa gëzim! Ipeshkvijtë qenë gjithnjë me mua e prandaj u ndje fort prania e mbarë Kishës në këtë zonë, që po ecën drejt paqes e pajtimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.