2007-08-07 18:17:02

Duke lexuar librin ‘Jezusi i Nazaretit’ mund të takosh vetë Benediktin XVI.


(07.08.2007 RV)RealAudioMP3 Siç njoftoi pak ditë më parë në mikrofonin e Radios sonë drejtori i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, don Gjuzepe Kosta, libri i Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit”, katër muaj pas botimit, vijon të jetë në krye të klasifikimeve të ndryshme e të botohet në gjuhë të reja. Fryt i kërkimit të thellë mbi figurën e Jezusit, libri i tërheq njëlloj si studiuesit e teologjisë, ashtu edhe besimtarët e thjeshtë, siç na e shpjegon teologu don Nikola Buks, zevendës-kryetar i Institutit ekumenik “Shën Nikolla” pranë Universitetit Papnor të Shën Tomës:
Përgjigje: - Është një libër, në të cilin kam gjetur një kyç, që më ndihmon për ta përkufizuar kështu: libër në të cilin gjejmë zbulesën, libër që na ndihmon të njohim Hyjin, sepse Jezusi erdhi në botë kryesisht për të na dëftuar Hyjin si Atë. Është libër që na ndihmon ta kuptojmë këtë e të vijojmë ta jetojmë konkretisht sot, duke mos harruar se kjo Fjalë e Krishtit dëgjohet përsëri çdo ditë në ambjentin e gjallë të liturgjisë, dmth në kultin e Kishës. Në këtë këndvështrim, në librin e Atit të Shenjtë zbulesa e Hyjit nga ana e Jezusit, bëhet liturgji, bëhet adhurim. E kjo, sepse në fund të fundit, të njohësh Jezusin, do të thotë të adhurosh Hyjin, të udhëhiqesh për ta adhuruar Hyjin.
Pyetje: - Benedikti XVI po shkruan vëllimin e dytë të librit kushtuar ‘Jezusit të Nazaretit’. Ja, ju e njihni prej vitesh Papën Racinger dhe e dini se Atit të Shenjtë i pëlqen shumë të shkruajë, gjë që e bën si shërbim….
Përgjigje: - Po, sepse të shkruash, në një farë mënyre, do të thotë t’ua hapësh zemrën të tjerëve, për t’u treguar ç’mendon. Mund të them se kur lexon librin, ku ndeshesh me një mendim tepër delikat, në një farë mënyre të duket se takon edhe vetë Atin e Shenjtë, i cili është njeri shumë i përvujtë, plot vëmendje për njeriun, por që përmes kësaj përvujtërie, shpreh gjithë sigurinë e fesë, që Jezu Krishti erdhi t’ia komunikojë botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.