2007-08-06 17:58:50

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’, emisioni V.


(06.08.2007 RV)RealAudioMP3 Po vijojmë me emisionin e pestë të ciklit radiofonik “Me nënë Terezën” kushtuar së Lumes Gonxhe Bojaxhiu, të cilën e kemi ftuar simbolikisht të na flasë mbi jetën e saj, duke shfletuar librin “Jeta ime’.
Sot Nënë Terza kujton sa e lumtur ishte në Kongregatën e Loretos, ku papritmas ndjeu një thirrje të re, brënda thirrjes së parë, thirrjen për t’iu kushtuar njerëzve që duhet të vdisnin në mes të rrugës, vetëm pse ishin të varfër… E nis rrëfimin me fjalët: Në Kongregatën e Loretos isha shumë e lumtur!
Njëzet vjet me radhë dhashë mësim në Kolegjin e Shën Marisë (St Mery’s School), që e ndiqnin kryesisht fëmijët e shtresave të mesme, ndonëse kishte edhe bija të familjeve të pasura.
Ishte i vetmi kolegj katolik për vajza në Kalkutë.
Nuk e di në se kam qenë mësuese e mirë apo e keqe.
Mendoj se këtë duhet ta dinë më mirë nxënëset e mia.
Ajo që mund ta them me siguri, është se puna mësimore më pëlqente shumë.
Që kur u bëra pjesëtare e Kongregatës së Motrave të Zojës së Loretos, misioni im ishte të jepja mësim, gjë që, e bërë për Zotin, kthehet në një apostullim të mrekullueshëm.
Jepja mësim, por edhe i nxisja nxënëset e mia më të rritura të shkonin në lagjet e varfëra për t’i ndihmuar të varfërit e braktisur.
Personalisht nuk arrita ta kuptoj menjëherë se Zoti po më thërriste për t’iu kushtuar plotësisht kësaj kauze, derisa një ngjarje jashtzakonisht prekëse, më shtyu ta bëj këtë.
Kjo ndodhi pas Luftës II Botërore. Një ditë isha jashtë kuvendit, fare pranë Spitalit Këmpbell, kur më shkuan sytë tek një grua që po vdiste nga uria fare pranë këtij vendi, të krijuar për të shpëtuar njerëzit e sëmurë.
Iu afrova, e mora në krahë dhe bëra çmos ta shtroj në këtë spital.
Askush s’ma vuri veshin, sepse gruaja që kisha ndër krahë, ishte e varfër.
Duhet t’i mbyllte sytë përgjithmonë në mes të rrugës.
Duke lexuar Ungjillin, më kishte prekur në mënyrë të veçantë fragmenti në të cilin Krishti pohon se kur u shërbejmë të vegjëlve, atyre që kanë uri, të sëmurëve, të braktisurve, është njëlloj si t’i kishim shërbyer Atij vetë.
Kështu m’u duk se kisha zbuluar rrugën time të vërtetë dhe e pranova menjëherë si një dhuratë të mrekullueshme që më vinte nga qielli.
Ishte si një thirrje brënda thirrjes.
Një gjë e tillë i ngjet një thirrjeje të dytë.
Ishte një urdhër i brëndshëm që më shtynte të largohesha nga Kongregata e Loretos, ku isha tepër e lumtur, të braktisja rehatin e të dilja në rrugë të madhe, për t’u bërë motra e të varfërve.
Në vitin 1946, ndërsa po udhëtoja me tren në Dajerling për të bërë ushtrimet shpirtërore, ndjeva përsëri thirrjen për të lënë gjithçka, për të ecur në gjurmët e Krishtit në lagjet e jashtme të qytetit e për t’i shërbyer Zotit përmes të varfërve më të varfër.Kuptova çka donte nga unë Krishti!







All the contents on this site are copyrighted ©.