2007-08-06 16:57:21

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa na fton të mos e ngjitim zemrën pas pasurisë, sepse thesari i vërtetë është Krishti.


(06.08.2007 RV)RealAudioMP3 Pasuria nuk e shpëton njeriun: madje, në se nuk ndahet me të tjerët, e vë në rrezik shëlbimin. Këtë theksoi dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Kastel Gandolfo, në një ditë verore plot diell. Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mos sundohen nga egoizmi e nga lakmia. Kujtoi më pas Palin VI, në 29 vjetorin e vdekjes si dhe patrikun Teoktist të Kishës ortodokse rumune, inkurajues i madh i ekumenzimit, që ndërroi jetë pak ditë më parë.
Duke u nisur nga leximet biblike të së Dielës XVIII të Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Papa kujtoi se besimtari nuk duhet t’i mbajë vetëm për vete të mirat materiale, por duhet t’i ndajë edhe me të tjerët, posaçërisht me të varfërit:
Pasuria, ndonëse gjë e mirë në vetvete, nuk duhet shikuar si e mirë absolute. Duhet të mendojmë, sidomos, se nuk na e siguron shëlbimin, madje edhe mund ta rrezikojë seriozisht”.
E pikërisht nga ky rrezik përpiqet t’i largojë Krishti nxënësit e vet:
“Është urti e virtyt të mos e ngjitësh zemrën pas të mirave të kësaj bote, sepse gjithçka kalon, gjithçka mund të përfundojë papritur e pa u kujtuar. Thesari që duhet të kërkojmë papushim ne, të krishterët, gjindet ‘atje lart, ku Krishti rri ndejë në të djathën e Atit”.
E pikërisht për t’i lartuar sytë nga qielli - shtoi Papa – na fton Solemniteti i të Shndërruemit të Jezu Krishtit, që e kremtojmë sot. Në rrëfimin ungjillor të të Shndërruemit mbi mal, na jepet një shenjë paralajmëruese, që na krijon mundësinë të hedhim një shikim të shpejtë në mbretërinë e shenjtorëve ku edhe ne, në mbarim të shtegtimit tonë tokësor, mund të marrim pjesë në lumninë e Krishtit, lumni e plotë, e përkryer e përfundimtare. Atëherë – pohoi Benedikti XVI – gjithë universi do të shndërrohet e do të përmbushet më në fund plani hyjnor i shëlbimit. Më pas Papa kujtoi se pikërisht në solemnitetin e ‘Të Shndërruemit të Zotit’, në vitin 1978, Pali VI u thirr për të hyrë në shtëpinë e Atit qiellor:
Kujtimi i tij qoftë ftesë për të shikuar drejt qiellit e për t’i shërbyer besnikërisht Zotit e Kishës, ashtu si bëri ai në vitet jo të lehta të shekullit të kaluar”- tha Benedikti XVI dhe në vijim i lartoi lutjen Virgjërës Mari, të cilën dje Kisha e kremtoi posaçërisht në festën e Zojës së Dëborës, që na kujton kohën e largët, kur nisi ndërtimi i bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe.
“Virgjëra, e cila më shumë se çdo krijesë tjetër mori pjesë në misterin e Krishtit, na ndihmoftë në shtegtimin tonë të fesë me qëllim që, siç na fton të lutemi liturgjia e sotme - duke u përpjekur me të gjitha forcat ta nënshtrojmë tokën, të mos lejojmë të sundohemi nga lakmia e egoizmi, por të kërkojmë gjithnjë atë që vlen para syve të Zotit”.
Së fundi mendimi i Papës shkoi tek barinjtë dhe besimtarët e Kishës ortodokse rumune, pak ditë pas vdekjes së patrikut Teoktist. Në salikimet solemne, që u kremtuan të premten e kaluar në katedralen patriarkale të Bukureshtit, Benedikti XVI dërgoi si përfaqësues të tij, kardinalin Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, në krye të një delegacioni:
“Dëshiroj të kujtoj me nderim e dashuri figurën fisnike të këtij bariu, që e deshi Kishën e vet e dha një ndihmesë shumë pozitive në marrëdhëniet ndërmjet katolikëve e ortodoksëve, duke e inkurajuar vazhdimisht komisionin e përbërë ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse”.
Dëshmi e qartë e impenjmit të tij ekumenik – vijoi Ati i Shenjtë – janë edhe dy vizitat e shkëmbyera ndërmjet Papës Gjon Pali II në Rumani, më 1999, dhe Fortlumturisë së Tij, Teoktist, në Romë, më 2002, vizita që do të mbeten në kujtesën e të dyja Kishave si dhuratë e hirit hyjnor. Benedikti XVI shprehu besimin se duke ecur në gjurmët e tyre, të dyja Kishat do të shkruajnë një faqe të re në historinë e të dy bashkësive, faqen e kapërcimit të përçarjeve dhe të bashkimit të të gjithë ndjekësve të Krishtit.“I përjetshëm qoftë kujtimi i tij! Kështu – tha Benedikti XVI – tradita liturgjike ortodokse i përfundon salikimet e atyre që flejnë në Tënzonë. Ta bëjmë tonën këtë lutje – përfundoi Ati i Shenjtë – duke i kërkuar Zotit ta pranojë Vëllaun tonë në mbretërinë e tij të dritës së pambaruar e t’i japë pushimin e pasosur e paqen, të cilën ua ka premtuar atyre që i shërbejnë Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.