2007-08-06 16:57:09

Njeri i fesë e i dialogut, figurë e madhe e Kishës në Francë: kështu e kujton Papa kardinalin Lystizher, që ndërroi jetë dje në Paris.


(06.08.2007 RV)“Bari plot pasion në kërkim të Zotit, i impenjuar plotësisht për t’i kumtuar Ungjillin botës, figurë e madhe e Kishës në Francë”: kështu e skicon Benedikti XVI figurën e kardinalit Lystizher, që vdiq dje në Paris, në moshën 80 vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, lajm ky që Papa e priti me dhimbje të thellë.
Në një telegram ngushëllimi, drejtuar kryeipeshkvit të Parisit, Andre Vënt-Trua, Benedikti XVI shpreh ngushëllimet e tij më të ndjera për vdekjen e Kardinalit dhe nënvizon kontributin bujar të këtij njeriu të fesë e të dialogut. Intelektual i ndritur – kujton Papa – kardinali Lystizher i vuri aftësitë e tij në shërbim të fesë, për ta bërë të pranishëm Ungjillin në të gjitha fushat e shoqërisë, duke i kushtuar kujdes të veçantë edukimit të të rinjve, impenjimit misionar të besimtarëve dhe formimit të meshtarëve e të laikëve.
Ishte vetë Kardinali ai që, në tetor të vitit 2006, njoftoi se po mjekohej për një sëmundje të rëndë.
Do të salikohet të premten e ardhshme duke filluar nga ora 10. 00 në katedralen e Shën Marisë së Parisit.
I lindur në Paris më 17 shtator 1926, kardinali Zhan Mari Lystizher, ishte bir i një familjeje polake me fe hebraike. Pikërisht sepse ishin hebrenj, të dy prindërit e tij u internuan në kampin nazist të Aushvicit, ku edhe vdiqën.
Zhan Mari shpëtoi falë ndihmës që i dha një familje franceze e Orleansit, në gjirin e së cilës u rrit e u kthye në fenë katolike. Si u pagëzua, kreu gjimnazin, studioi letërsi e pastaj u paraqit në portat e kuvendit të karmelitanëve të Parisit, duke kërkuar të bëhej meshtar. Studimet e teologjisë i kreu pranë Institutit katolik dhe Universitetit të Sorbonës. U shugurua meshtar më 17 prill 1954, në moshën 28 vjeçare. Më 10 nëntor 1979 Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv të Orleansit, më 31 janar 1981, kryeipeshkëv të Parisit, detyrë që e kreu deri më 11 shkurt 2005.Bisedoi për herë të fundit me Benediktin XVI më 10 shkurt 2007, gjatë një takimi të organizuar në Vatikan, ku kishte ardhur me një delegacion të Akademisë së Shkencave Politike e Morale të Parisit.







All the contents on this site are copyrighted ©.