2007-08-06 16:57:31

Kisha kujton Palin VI, 29 vjet pas vdekjes.


(06.08.2007 RV)RealAudioMP3 29-vjet më parë, më 6 gusht 1978, pikërisht në solemnitetin e ‘Të Shndërruemit të Zotit’, në Kastel Gandolfo vdiste Papa Pali VI. E kujtoi dje Benedikti XVI në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke theksuar shërbimin besnik të Papës Montini ndaj Zotit e Kishës së tij, në vite jo të lehta.
Benedikti XVI ka qenë gjithnjë shumë i lidhur me Palin VI: ishte Papa Montini ai, që e emëroi kryeipeshkëv të Munihut dhe kardinal, në vitin 1977.
Më 3 marsin e kaluar, duke pritur anëtarët e Institutit Pali VI, Benedikti XVI e quajti ‘Papa i paharrueshëm’. U thirr ‘nga Provania Hyjnore për të mbajtur timonin e barkës së Shën Pjetrit në një periudhë historike plot sfida problematike, në të cilën u dallua për urtinë e maturinë e tij e sidomos për zellin misionar, që e nxiti të bënte disa shtegtime apostolike, edhe drejt vendeve të largëta, duke kryer gjeste profetike me vlerë të madhe kishtare, misionare e ekumenike'. Ishte i pari papë që shkoi në Tokën Shenjte, duke i treguar kështu Kishës se rruga e misionit të tij niste në gjurmët e Krishtit:
“Në fakt, sekreti i veprimtarisë baritore që Pali VI e kreu me përkushtim të palodhshëm, duke marrë nganjëherë vendime të vështira, që nuk patën fare popullaritet, qëndron pikërisht në dashurinë për Krishtin: dashuri që ndjehet thellë në të gjitha mësimet e tij. Shpirti i tij prej bariu ishte i rrëmbyer nga tensioni misionar, i ushqyer nga dëshira e sinqertë për të dialoguar me njerëzimin. Ftesa e tij profetike, e propozuar shumë herë, për të rinuar botën e trazuar nga shqetësimet e dhuna përmes qytetërimit të dashurisë, lindte nga besimi i plotë në Jezusin, shpëtimtarin e njeriut”.
E emri i këtij Pape, që opinioni publik ia kuptoi madhështinë vetëm kur vdiq - pati nënvizuar Benedikti XVI – mbetet i lidhur posaçërisht me Koncilin II të Vatikanit:
“Në se ishte Gjoni XXIII që e thirri dhe e filloi, i takoi atij, pasardhësit, ta çojë përpara me dorë të mësuar, delikate e të vendosur. Jo më pak e vështirë ishte për Papën Montini ta drejtonte Kishën në periudhën pas-konciliare. Nuk ia lejoi vetes të kushtëzohej nga keqkuptimet e kritikat, ndonëse iu desh të duronte vuajtje e sulme, nganjëherë të tërbuara, por mbeti, në çdo rrethanë, timonier i vendosur e i urtë i barkës së Pjetrit”.Sipas Benediktit XVI, me kalimin e viteve del gjithnjë më shumë në pah rëndësia që pati për Kishën e për botën papnia e Palit VI, e jo më pak, edhe vlera e magjisterit të tij të lartë, nga i cili u frymëzuan pasardhësit e tij, duke e përfshirë edhe atë vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.