Kisha kremtoi festën e Shndërrimit të Krishtit mbi malin Tabor.
(06.08.2007 RV)Liturgjia e sotme na fton ta ndjekim Krishtin mbi Tabor, mbi
malin e heshtjes e të kundrimit, përvojë të cilën Kisha ua këshillon të gjithë besimtarëve,
në forma të ndryshme, që u përshtaten thirrjeve e kushteve të posaçme të jetesës,
në mënyrë që bashkësitë e krishtera të bëhen shkolla të vërteta lutjeje, ku të na
ngadhënjejë në shpirt misteri i dritës dhe i dashurisë së Hyjit. Duke kundruar
Taborin, kuptojmë më mirë se rruga e kryqit dhe ajo e lavdisë janë të pandara: duke
pranuar deri në fund të fundit planin e Atit, në të cilin qe shkruar se Jezusit do
t' i duhej të vuante për të hyrë në lavdinë e tij, Krishti provon që në këtë jetë
dritën e ringjalljes. Edhe ne, duke mbartur çdo ditë me fe plot dashuri Kryqin,
provojmë, njëheresh me peshën e rëndë, edhe forcën e risimit e të ngushëllimit. Me
Jezusin e marrim atë dritë të brëndshme, posaçërisht ndërsa lutemi. Kur zemra është
pushtuar nga Krishti, jeta ndryshon. Rrugët më fisnike e, posaçërisht, ato më ngulmueset,
janë fryt i bashkimit të thellë e të vazhdueshëm me Hyjin në heshtjen e uratës. Kujtojmë
se shndërrimi i Jezusit mbi malin Tabor është i katërti në misteret e dritës, shtuar
mistereve tradicionale të Rruzares shenjte nga Papa Gjon Pali II në vitin kushtuar
pikërisht Rruzares.Misteret e dritës janë: Pagëzimi i Jezusit në Jordan, kur Ati nga
qielli thotë: "Ja, biri im, të cilin e kam për zemër", e ky është zbulimi i misionit
të Birit të Hyjit; pastaj mekullia e Jezusit në Dasmën e Kanës, shenjë e shndërrimit
dhe e shenjtërimit të të gjithë realitetit të krijuar e sidomos e njeriut të shndërruar
nga Biri i Hyjit; misteri i tretë është kumtimi i Mbretërisë së Hyjit me shembëlltyra
e shenja shëlbuese. I katërti - shndërrimi i Jezusit mbi Malin Tabor dhe së fundi,
i pesti, themelimi i Eukaristisë, si dhanti Pashkësh e si sakrament që përmbledh në
vetvete të gjitha sakramentet e shëlbimit, të cilat Krishti ia dhuroi Kishës për shpëtimin
e njerëzimit.