2007-08-06 18:52:21

Kardinal Turan: bilanci i luftës në Irak është negativ


(06.08.2007 RV)Ditë e përgjakshme në Irak. Një seri atentatesh ka shkaktuar vdekjen e mëse 30 vetave, ndërsa vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë gjetur 80 trupa pa jetë. Në Bagdad janë mbledhur sot ekspertë amerikanë, irakianë dhe iranianë për të diskutuar mbi problemet e sigurisë. Në tryezën e bisedimeve krijimi i një komiteti tripalësh dhe mjetet për të luftuar terrorizmin e për të përforcuar kufirin e vendit.
Ndërkaq, vetëm pak javë para shtatorit, në të cilin duhet të bëhet publik raporti mbi rezultat e arritura nga Uashingtoni me strategjine e re, më agresive në Irak, administrata amerikane nuk është në gjendje të verifikojë se ku kanë shkuar mëse gjysma e armëve të lehta, rreth 54%, dhënë forcave irakiane për të luftuar terrorizmin. Denoncimi është i Zyrës së Kongresit që kontrollon veprimtarinë e qeverisë dhe mban datën 31 korrik.
Nga ana tjetër, kardinali Luis Turan, president i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, në një intervistë për revistën italiane “30 Ditë”, që do të botohet të enjten, deklaron se bilanci i luftës angloamerikane në Irak është negativ. Të krishterët janë më të persekutuar se më parë e vendi po zhytet në luftën civile. Në kohën kur ishte “ministër i jashtëm i Vatikanit”, kardinali Tauran ka qenë vendosmërisht kundër luftës në Irak.







All the contents on this site are copyrighted ©.