2007-08-06 18:48:46

62-vjetori i bombës atomike në Hiroshimë


(06.08.2007 RV)“Japonia nuk ka ndërmend të prodhojë, të zotërojë apo të pranojë në territorin e vet armatime bërthamore”. Me këto fjalë, kryeministri japonez Shinzo Abe kujtoi sot 62-vjetorin e bombardimit të Hiroshimës, më 6 gusht 1945. Në orën 8.15 (ora 2 në Evropë), i gjithë qyteti u ndal për një minut heshtjeje e zie, për të kujtuar momentin e saktë në të cilin u hodh bomba atomike. Gjatë shpërthimit gjetën vdekjen rreth 140 mijë vetë, por numri i viktimave të përgjithshme e kalon 240 mijëshin, pasi efektet e rrezatimit, duke kaluar gjenetikisht në brezat e ardhshëm vazhduan të shkaktojnë dëme. Tri ditë më vonë, i njëjti fat do t’i takonte qytetit të Nagasakit, gjithnjë në Japoninë jugore. Kësaj radhe, viktimat qenë 80 mijë, pasi gabimisht bomba nuk arriti objektivin, por shpërtheu gati 500 metra mbi sipërfaqe në një luginë, kodrinat e së cilës e mbrojtën disi qytetin.
45 mijë vetë manifestuan sot në Hiroshima kundër armëve bërthamore e për paqen në botë. Këtë vit më shumë se kurrë, Japonia ka nevojë për këtë, pas gafës së Ministrit të Mbrojtjes, Fumio Kyuma, i cili disa javë më parë, deklaroi se hedhja e dy bombave nga ana e SHBA-ve ishte e pashmangshme. Deri më sot, studiuesit janë ndarë më dysh përsa i përket efektit të hedhjes së bombave. Ka nga ata që mbështesin tezën se bombat atomike mbi Hiroshimë e Nagasaki i dhanë fund Luftës II Botërore; të tjerë mendojnë se Japonia do të kishte kapitulluar edhe pa to.
Gjatë udhëtimit të tij në atë rajon, Papa Gjon Pali II u ndal edhe në Hiroshima, e në të vetmen ndërtesë që shpëtoi nga bomba, sot monument për paqen i mbrojtur nga UNESKO, shqiptoi një fjalim të fuqishëm me moton “Të kujtojmë të kaluarën e të impenjohemi për të ardhmen”. Fjalimi fillonte me fjalët domethënëse:
“Lufta është vepër e njeriut. Lufta është shkatërrim i jetës njerëzore. Lufta është vdekje”.
Pasi u bën thirrje krerëve të shteteve e të qeverive, burrave e grave të krejt botës, të rinjve e atyre që besojnë në Zot, Gjon Pali II i drejtohet Atit të Gjithpushtetshëm me një lutje prekëse:
“Dëgjoje o Atë zërin tim, sepse është zëri i viktimave të të gjitha luftrave e dhunës ndërmjet njerëzve e kombeve;
Dëgjoje zërin tim, sepse është zëri i të gjithë fëmijëve që vuajnë e do të vuajnë sa herë popujt ia besojnë veten armëve e luftës;
Dëgjoje zërin tim, kur të lutem të ndikosh në zemrat e të gjithë njerëzve urtinë e paqes, forcën e drejtësisë e gëzimin e miqësisë;
Dëgjoje zërin tim, se flas për shumë veta nga çdo vend e nga çdo periudhë e historisë, që nuk e duan luftën e janë gati të ecin në rrugën e paqes;
Dëgjoje zërin tim e na jep aftësinë e forcën për t’iu përgjigjur gjithmonë urrejtjes me dashuri, padrejtësisë me përkushtim të plotë ndaj drejtësisë, nevojës me pjesëmarrje, luftës me paqe.
O Zot, dëgjojë zërin tim e jepi botës përgjithmonë, paqen Tënde”.







All the contents on this site are copyrighted ©.