2007-08-04 18:01:39

Sot u kremtua takimi përgatitor i të rinjve australianë të Melburnit për DBR-së të Sidneit 2008.


(05.08.2007 RV)Të rinjtë e dioqezës së Melburnit, në Australi, u takuan sot në shenjtëroren e Mëshirës Hyjnore, ku reflektuan mbi Hyjin, një të vetëm, të mishëruar në Jezu Krishtin, që bëhet i afërm i njeriut. Por vunë theksin edhe mbi një problem jashtzakonisht aktual, i cili lidhet ngusht me jetën e tyre të përditshme fetare, e pikërisht mbi propozimet që u bëhen vazhdimisht e me ngulm nga lëvizja Nju Ejxh, e cila i josh të ecin në rrugën e një përvoje të rreme fetare. Takimi u organizua në kuadrin e Ditës XXIII botërore të rinisë, që do të kremtohet në Sidnei vitin e ardhshëm. Të rinjtë e Australisë dëshirojnë t’i përgjigjen me gëzim thirrjes së Benediktit XVI për t’ua transmetuar besimin në Jezu Krishtin edhe të rinjve të tjerë. Kanë në kantier nisma të shumta, ndërmjet të cilave, ungjillëzimin nëpër rrugë, dëshmitë në shkolla e në sheshe si dhe veprimtari të shumta muzikore e kulturore, që frymëzohen e kanë në qendër Jezu Krishtin. DBR e Australisë është një rast shumë i çmuar për gjithë të rinjtë e Oqeanisë, që po thellojnë meditimin mbi përmasën e mbinatyrshme të jetës njerëzore, për të rilidhur besën me Zotin. Organizatorët po punojnë që ky takim i madh të jetë njëkohësisht edhe çast për të rizgjuar vetëdijen e fesë e identitetin e katolikëve australianë si dhe mjet i fuqishëm i ungjillëzimit, për ata që nuk e njohin akoma Lajmin e mirë të shëlbimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.