2007-08-04 18:02:45

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(05.08.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XVIII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, u përkujtua edhe përvjetori i shugurimit të bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, një nga Kishat më të vjetra kushtuar Virgjërës Mari.
Përpara misterit të jetës, ashtu si para misterit të Hyjit, të zbuluar në Jezu Krishtin, njeriu mundet vetëm të heshtë. Reja e pranisë së Hyjit e mbështjell gjithë jetën tonë e, megjithatë, nuk arrijmë ta kuptojmë derisa të përfundojë shtegtimi ynë mbi këtë tokë. Ky reflektim buron nga liturgjia e festës së ‘Të Shndërruemit të Jezu Krishtit’ që Kisha do ta kremtojë të hënën.
Të martën, në përkujtimin e Shën Sistit II papë e shokëve të tij martirë si dhe të Shën Gajtanit të Tienës, meshtar, themelues i Teatinëve, liturgjia na nxit të reflektojmë për vështirësitë që duhet të përballojë secili nga ne gjatë gjithë jetës. Shpesh erërat e kundërta na pengojnë, mëkatet na trondsin, vuajtjet na e trazojnë korpin e shpirtin. Atëherë mund të na shpëtojë vetëm feja, gjëja kryesore që duhet t’i kërkojmë Zotit çdo ditë përmes lutjes e veprave të dashurisë së krishterë.
Kujtojmë edhe se të martën Shoqëria e Shën Gajtanit është në festë edhe në Shqipëri.
Të mërkurën do të përkujtohet Shën Domeniko (Deda) Guzman, meshtar, themelues i Urdhërit të predikatarëve, që festohet nga etërit predikatarë edhe në Durrës e në Rrogozhinë. Përkujtohen edhe Shënjtorët Qiriaku, Largu e Smaragdi, martirë, që na kujtojnë se lutja, ashtu si na e ka mësuar Jezusi, shpreh dëshirën tonë për t’u takuar me Hyjin e, njëkohësisht edhe nevojën që kemi për Të. Pikërisht kur të na duket se Hyji na ka lëshuar dore, lutja jonë duhet të bëhet më këmbëngulëse, në se duam ta nxjerrim hirin e kërkuar.
Shën Tereza Benedikta e Kryqit (Edit Shtain), virgjër e martire, pajtore e Evropës, që do të kremtohet të enjten, na kujton se Zoti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga duar njerëzore. Ai është gjithkund. Është shpirt që shfaqet në mënyra nga më të ndryshmet. Zoti kërkon burra e gra që dinë të duan me dashuri të pamasë, e cila nuk shprehet me fjalë, por me vepra të kryera për hir të dashurisë së Krishtit. Besimtari i vërtetë nuk shikon kurrë vetëm interesat e jetës së përditshme. Ai e di se ka një jetë tjetër, veç asaj tokësores, një jetë që i përket Hyjit. E këtë jetë Zoti ua dhuron atyre, të cilët e duan më shumë se vetveten, më shumë se jetën e tyre. Prandaj e ndjekim Jezusin, për të qenë gjithnjë me Të. Këtë na kujton, të premten e ardhshme, festa e Shën Lorencit martir, që në Shqipëri kremtohet kryesisht në Tarazh të Mirditës.
Jezusi erdhi ndërmjet nesh për të jetuar si ne, për të provuar mjerimin e jetës sonë, dhimbjen e plagëve tona. E atë që ne nuk jemi në gjendje ta shërojmë, ai e shëron me dashurinë e tij e me pushtetin e tij. Këtë na kujton, të shtunën, festa e Shën Kiarës së Asizit, virgjër, themeluese e Klariseve. Në Shqipëri kremtohet posaçërisht në Arameras e në Fushë Krujë, ku kryejnë misionin Bijat e Shenjtes. Të shtunën kremtohen edhe Shën Tiburci martir dhe e Shën Suzana romake.







All the contents on this site are copyrighted ©.