2007-08-03 17:26:32

Salla vatikanase e Shtypit publikoi programin e shtegtimit të Benediktit XVI në Austri, nga 7 deri më 9 shtator.


(03.08.2007 RV)RealAudioMP3 U publikua sot paradite nga salla e Shtypit të Selisë së Shenjtë, programi i shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Austri, nga 7 deri më 9 shtatorin e ardhshëm, me rastin e 850-vjetorit të themelimit të Shenjtërores Mariacel.
Është vizitë treditore, e pasur me ngjarje kishtare. Por nuk mungojnë edhe çaste takimi me botën e kulturës e me shoqërinë civile.
Benedikti XVI do të niset në orën 9. 30 të së premtes, 7 shtator, nga aeroporti romak i Çampinos për Vjenë. Këtu, pas ceremonisë së mirëseardhjes, Papa do të shkojë në Sheshin ‘Am Hof’ të kryeqyetit austriak për lutjen në Mariensaule e për t’i drejtuar përshëndetjen besimtarëve. Në fund të paradites, para arritjes në nunciaturë, Papa do të ndalet te Monumenti për viktimat austriake të Shoah, apo të shfarosjes së hebrenjve nga nazistët.
Pasdite, në orën 17. 30, Ati i Shenjtë do të takohet me presidentin e Republikës e më pas edhe me trupin diplomatik, të cilit do t’i drejtojë një fjalim.
Të shtunën paradite - çasti kulmor i shtegtimit: Mesha Shenjte në Shenjtëroren e Mariacel, me rastin e 850-vjetorit të themelimit. Pas kremtimit, Papa do të drekojë me prelatët e Konferencës ipeshkvnore austriake.
Pasdite, pastaj, do të kryesojë lutjet mbrëmësore mariane, së bashku me meshtarët, rregulltarët, diakonët e seminaristët austriakë. Në mbrëmje do të rikthehet në Vjenë.
Posaçërisht e ngarkuar me veprimtari do të jetë e diela, 9 shtator: në orën 9. 45, pas proçesionit nga Pallati Ipeshkvnor në Katedralen e Shën Shtjefnit, Papa do të kremtojë Meshën Shenjte e lutjen e Engjëllit të Tënzot. Pasdite, në orën 16. 30 Ati i Shenjtë do të vizitojë abacinë e Hailigenkrojc (Sh’na Krygjës), ku do të mbajë një fjalim, pastaj do të shkojë në Viner Koncerthaus, ku do të takohet me botën e vullnetariatit. Së fundi - ceremonia e lamtumirës dhe nisja për Romë ku, sipas parashikimit, duhet të arrijë në orën 21. 30.







All the contents on this site are copyrighted ©.