2007-08-03 17:28:09

Atë Lombardi në festën e gazetës ‘Avvenire” kujton edhe përfundimin e krizës në Kosovë.


(03.08.2007 RV)“Nuk jam studiues i mediave, as teolog i komunikimeve shoqërore, por meshtar, si ju, i cili prej shumë vitesh punon në këtë fushë, ku ka mësuar dalë-nga-dalë, nga dy mjeshtra të jashtzakonshëm, dy papët e fundit” – kështu u paraqit pardje në Leriçi të Liguries, Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, drejtor i përgjithshëm i Radios sonë dhe i Qendrës Televizive të Vatikanit, para pjesëmarrësve të ‘Ditës meshtarake’, festë e gazetës italiane ‘Avvenire’, sivjet me temë: “Të komunikojmë shpresën’. Gjatë kësaj feste, Atë Lombardit iu dorëzua çmimi “Angjelo Narduçi’, që u jepet personaliteteve të njohura të kulturës e të komunikimit. E Atë Lombardi, duke marrë çmimin, foli për ‘dy mësuesit e tij të gazetarisë’, Gjon Palin II e Benediktin XVI, nga të cilët mësoi sekretet e mjeshtrisë. Dy mjeshtra tepër të aftë për të komunikuar shpresën, gjë gjithnjë më e rrallë në botën e sotme, ku lajmi i bukur nuk përbën më lajm. E kjo – shkruhet në ‘Avvenire’ – është paradoksale për çdo njeri, e posaçërisht për bashkësinë e krishterë, që s’mund të kuptohet pa lajmin e mirë e pa shpresën.
Pyetjes: ‘cili ka qenë lajmi që keni dhënë më me kënaqësi’, Drejtori i Radio Vatikanit iu përgjigj: “Ishte në kulm kriza e Kosovës e ne çdo natë transmetonim, gjysëm shqip e gjysëm italisht, për të njoftuar të rejat me karakter humanitar, duke pasur parasysh se radioja është mjet që arrin edhe atje ku nuk arrin televizioni. Ishim duke transmetuar drejtpëdrejtë, kur erdhi lajmi i armëpushimit, lajmi aq i pritur i paqes! Këto janë lajmet më të bukura që meritojnë të jepen! – u shpreh Atë Lombardi, duke dëshmuar kështu në atë çast, kur po merrte një çmim kaq të njohur, për një veprimtari tepër të dendur e të larmishme, sa për zemër e ka pasur e e ka gjithnjë çështjen e shqiptarëve.Prej këndej kuptohet pse Atë Lombardin e prek thellë përpjekja e gazetarisë së sotme për të bërë bujë me çdo kusht, duke e shtjelluar çdo lajm në mënyrë ngacmuese e duke krijuar kështu polemikë, edhe atje ku nuk është. Në televizon – shtoi Drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit – shtohen transmetimet me grindje ndërmjet familjarëve, në vend që të shtoheshin ata që paraqesin harmoninë në familje. Pastaj, për shkak të keqkuptimit të plurarizmit, qëndrimet e ndryshme, shpesh edhe kundërshtare, paraqiten të gjitha si të vërteta, të barazvlefshme, prandaj nuk mbahet kurrfarë qëndrimi përfundimtar, gjë që i çorienton njerëzit. Në këtë Babel – shpjegoi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – meshtarët janë të thirrur të përgjigjen pa naivitet e me realizëm, duke i njohur mirë rreziqet e botës së komunikimit dhe të teknologjive të reja si Interneti, por edhe duke marrë nisma pozitive për t’i shfrytëzuar në shërbim të së mirës mundësitë e jashtzakonshme që krijojnë. Një mësim ekulibri, që e jetoi dhe e transmetoi plotësisht Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.