(03.08.2007 RV)Filip Shiroka, që në letërsinë shqipe njihet si Poeti i dallëndyshës,
lindi 148 vjet më parë në një shtëpi karakteristike shkodrane, sot e shembur, ashtu
si shtëpia e Luigj Gurakuqit. Nuk është më porta me pllakën përkujtimore, në të cilën
lexohej: "Në këtë shtëpi më 3 gusht 1859 lindi Filip Shiroka". Por me sa duket askush
nuk shqetësohet për shembjen e një monumenti tjetër të papërsëritshëm të kulturës
shqiptare. E pra në periudhën e Rilindjes, kur pena ishte arma më e mprehtë në luftën
për lirinë e Shqipërisë, Shiroka qe i njohur njëlloj si Naim Frashëri.! Po kujtojmë,
me pak fjalë ngjarjet kryesore të jetës së atij, që Atdheu e la dy herë pa shtëpi. Mësimet
e para i mori në shkollën françeskane të vendlindjes, ku pati fatin të ketë për mësues
fratin-poet, Atë Leonardo De Martino, pranë të cilit bëri sprovat e para poetike edhe
Atë Gjergj Fishta. Mësoi disa gjuhë të huaja në bankat e kësaj shkolle. Më 1877 hapi
një dyqan për lidhjen e librave, që u shndërua shumë shpejt në pikëpjekje të atdhetarëve
e të dashuronjësve shkodranë të kulturës. Më 1880, për shkak të rrethanave të vështira
të kohës, mbylli dyqanin dhe mori rrugën e gjatë të mërgimtarit drejt Egjiptit. Prej
andej kaloi në Libanin që administrohej nga shkodrani tjetër i madh, Pashko Vasa.
Më 1887 fillon të botojë vjersha në revistat "Albania", "Besa"; "Toska" etj. me pseudonimin
Gegë Postripa. Ndërkohë njihet me Çajupin, me të cilin lidh një miqësi të ngushtë.
E jo më pak miqësohet me Gurakuqin, me të cilin takohet së pari ndër faqet e revistës
Albania. Gurakuqi, i prekur nga vargjet e "Shko Dallndyshë", iu përgjigj poetit me
vargjet e "Dallndysha erdhi". Të dy burrat e mëdhenj të kulturës shqiptare do të piqeshin
vetëm kur Shiroka u kthye në Shqipëri, ku edhe botoi "Zanin e Zemrës", e vetmja përmbledhje
e tij poetike, e cila i siguroi një vend të pazëvendësueshëm në letrat shqipe. Vdiq
më 1935 në Beirut të Libanit. Disa nga lirikat e tij më të realizuara janë "Shko
Dallndyshë", "Vjershatorit", "Frati i vogël" "Një lules së veshkun" ; "Vorri i Skandërbegut"
. Prej tyre zgjodhëm për përkujtimin e sotëm një epitaf simbolik e aktual për të
gjitha kohërat:
Sipri vorrit të një grekomanit: SHQIPTARI KISHTE SHKRUE
N'ket
vorr po kalben eshtnat t'nji qyqarit, qi turpnisht jetën e vet e ka shkue: Shqiptar,
për fat të zij, edhe bir Shqiptarit, punoi për Grekët, Shqypninë me tradhtue. Tradhtuer
emnohej sa ish gjallë ky i shkretë, e trathtuer emnin ka me e pasë për jetë.
GREKU
KISHTE SHKRUE
Këtu po kalben kocat t'nji Shqiptarit, qi me mish e me shpirt
punoi për Greqinë. Nevojë kem pasun për shërbim të qyqarit Me të holla e ndera
ja paguem dhelpninë: por… besë s'ka Greku n'at nierinë qi shetatdhenë, kombin dhe
vëllaznit e vet!