2007-08-02 17:40:52

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’: në emisionin e dytë na flet për vendlindjen.


(02.08.2007 RV)RealAudioMP3 Po vijojmë me emisionin e dytë të ciklit radiofonik “Me Nënë Terezën” kushtuar të Lumes së parë shqiptare, të cilën e kemi ftuar simbolikisht të na flasë për jetën e vet, duke shfletuar librin “Jeta ime’.
Sot e Nënë Tereza kujton vendin që zuri në zemrën e saj qyteti i lindjes, Shkupi, ku kaloi vitet e mrekullueshme të fëmijërisë, në prehër të prindërve, pranë motrës e vëllaut, në bashkësinë katolike shqiptare e ndërmjet bashkëqytetarëve, që i desh pa asnjë dallim, ashtu si do t’i donte njerëzit e mbarë botës gjatë gjithë jetës:
Ja si e kujton vendlindjen - Bija e dashur e Shkupit.
Isha në gjunjë para Zojës së Letnicës, në Shkup, kur ndjeva për herë të parë thirrjen hyjnore, që më bindi t’i shërbej Zotit, t’i kushtohem plotësisht shërbimit të Tij.
Ishte pasditja e festës të të Ngjiturit të Krishtit në qiell: më kujtohet si tani.
Po lutesha me një qiri të ndezur në dorë: lutesha e këndoja, në sa zemra më gufonte nga gëzimi.
Atë ças vendosa t’i kushtohem plotësisht Zotit duke u bërë rregulltare.
Kjo skenë, atje, tek këmbët e Zojës, në shenjtëroren e saj të Letnicës, mbeti e pashlyer në zemrën time.
Atje dëgjova zërin e Zotit që më ftonte të isha krejtësisht e tija, t’i kushtohesha Atij e të afërmit.
Më zbuloi kështu, dëshirën që e fshihja prej kohe në zemër.
Po, më kujtohet, si shenjtërorja, ashtu edhe disa prej himneve që këndonim, posaçërisht kënga që fillon me fjalët: “Në Cërnagorë kem nji nanë!”.
Pas disa vjetësh pata rast të kthehesha prap në Shkup e në Shenjtëroren e Letnicës.
E ndjeva vetën të lume që po gjunjëzohesha përsëri tek këmbët e Zojës për t’u lutur.
Manteli i Zojës nuk ishte më ai i pari, por sytë e shikimi ishin po ato që më ndjekin pas kudo që shkoj.
Me uratën time desha të falënderoj Zotin për të gjitha vitet që kisha jetuar, pasi u largova nga Shkupi për herë të fundit.
Janë vite të ngarkuara me fryte.
E natyrisht mendova se, po ta rifilloja jetën nga e para, do të largohesha përsëri nga Shkupi, për të ecur në të njëjtën rrugë.
Sytë e Zojës ishin të njëjtët, po Shkupi kishte ndryshuar shumë.
Gjithsesi ishte Shkupi im: vendi ku kalova fëmijërinë e ku isha aq e lume.
Autoritetet e vendit patën mirësinë të më shpallnin ‘Bijë nderi të Shkupit’.
Në Shkup hapëm një shtëpi të ‘Misionareve të Bamirësisë’.
Kjo ma mbushi zemrën me gëzim.
Përmes themelimit të kësaj shtëpie në qytetin ku kam lindur, i shprehja Zotit dhe vendlindjes, mirënjohjen time e të motrave të mia.
Me këtë rast u fola bashkëqytetarëve të mi të Shkupit:“Këto motra janë dhurata që i bëj vendit tim. Kam besim se Shkupi do të vijojë t’i dhurojë thirrje të reja Kishës, në mënyrë që edhe ne të kemi mundësi t’ju dhurojmë më shumë motra. I kam gjithnjë në zemër banorët e Shkupit e të Shqipërisë. I lutem Zotit që paqja e tij të zbresë ndër zemrat e banorëve të këtij vendi, ashtu si ndër zemrat e të gjitha familjeve shqiptare e të botës mbarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.