2007-08-02 17:35:09

Kardinali Renato Rafaele Martino mbështet përpjeket për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore.


(02.08.2007 RV)RealAudioMP3 Mbështet kështu fuqimisht, edhe thirrjen e Papës për çarmatimin atomik dhe për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Duke pasur parasysh fjalën e Atit të Shenjtë në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, Hirësia e Tij ripohoi edhe sa e nevojshme është të përdoren në shërbim të zhvillimit, shpenzimet gjithnjë në rritje për garën e armatimeve:
Përgjigje: - Ati i Shenjtë Benedikti XVI është treguar tepër i ndjeshëm ndaj çështjes bërthamore që në fillimet e papnisë së tij. Në dy mesazhet e tij të para për Ditën Botërore të Paqes (më 2006 e 2007) preken aspekte të ndryshme të çështjes bërthamore, që i gjejmë edhe në deklarata të tjera, siç është ajo e Engjëllit të Tënzot e së dielës së kaluar (më 29 korrik). Ati i Shenjtë ndjek, kështu, vijën e paraardhësve të tij. Ai thellon më tej mësimet e Gjonit XXIII, të Palit VI, të Gjon Palit II e të Koncilit II të Vatikanit, duke zhvilluar doktrinën shoqërore të Kishës mbi çështjen bërthamore. Si Papët, ashtu edhe Etërit e Koncilit, denoncuan me forcë rreziqet që lidhen me armët bërthamore, sapo këto armë u bënë realitet tragjik për familjen njerëzore. Edhe në nivel lokal, Kisha katolike ka qenë gjithnjë ndërmjet protagonistëve të diskutimit publik mbi çështjen bërthamore. Kujtoj, për shembull, Letrën baritore të Konferencës Ipeshkvnore Amerikane të vitit 1983 (“The Challenge of Peace: God’s Promise and Our Response); ose impenjimin e kohëve të fundit të ipeshkvijve të Skocisë, të Anglisë e të Uellsit kundër rinovimit të sistemit bërthamor britanik (“Trident”). Përveç veprimtarisë baritore, Selia e Shenjtë impenjohet edhe në fushën diplomatike. Është një impenjim që zhvillohet në kuadrin e Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), anëtare e themeluese e së cilës është, e në atë të organizatave rajonale e ndërkombëtare. Kujtoj edhe se 16 vjetët e fundit, të cilët i kam kaluar në Nju Jork, jam impenjuar shumë edhe personalisht për çështjen bërthamore, si vëzhgues i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara; ashtu si vijoj të impenjohem edhe tani si Kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e të Paqes, Dikaster i Selisë së Shenjtë që lidhet në mënyrë të posaçme me paqen, çarmatimin dhe të drejtat e njeriut. Gjatë gjithë kohës kur isha në Nju Jork, kam ngritur vazhdimisht zërin për çarmatimin, pranë Komitetit të parë të Asamblesë së Përgjithshme. Jehonë të madhe pati fjalimi që mbajta në tetor të vitit 1997, në të cilin pohova se ‘armët bërthamore nuk përkojnë me paqen, që urojmë të gëzojë bota në shekullin XXI”. Ky pohim u bë parullë e u vendos në autostradat amerikane, ndërsa fjalimi u diskutua për dy orë rresht në Dhomën e Lordëve në Londër.
Si e bëra këtë hyrje të domosdoshme mbi veprimtarinë e Kishës e të Selisë së Shenjtë, e duke u rikthyer te lutja e fundit e Engjëllit të Tënzot, mbajtur nga Papa të dielën e kaluar, duhet thënë se ndalimi i planeve armiqësore e promovimi i planeve bërthamore paqësore, na duket se është çështja themelore në sektorin bërthamor. Nga njëra anë duhet mbrojtur paqja e siguria, nga ana tjetër, duhet nxitur zhvillimi i popujve. Siguria e zhvillimi janë shtyllat mbi të cilat ngrihet politika bërthamore botërore e posaçërisht Traktati mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (TPN) i 1968-tës si dhe Statuti i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) i 1957-tës- Na duket, prandaj, e drejtë të pohojmë se roli i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), sot më shumë se kurrë, është të garantojë një ekuilibër të drejtë ndërmjet kërkesave të ligjshme të sigurisë e atyre të zhvillimit të popujve, zhvillim që lidhet edhe me të drejtën e shteteve për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, njohur nga Traktati mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (TNP) si e drejtë e patjetërsueshme (Neni IV): mjafton të mendojmë për zbatimet e mundshme të teknologjisë bërthamore jo vetëm në sektorin energjetik, por edhe në mjekësi e në bujqësi.
Roli i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) është kryesisht të japë ndihmesën e vet për bashkëjetesën paqësore të familjes njerëzore, duke pasur mirë parasysh forcën shkatërrimtare të armëve bërthamore. Parësor në rolin e Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike është vullneti i shteteve për të hyrë në Traktatin mbi Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (TNP), për ta zbatuar atë dhe për t’iu nënshtruar sistemit të monitorimit të tij. Edhe më i nevojshëm është opcioni i bashkësisë ndërkombëtare për paqen dhe kapërcimi i asaj që Gjoni XXIII e quan ‘psikoza e luftës” (Pacem in terris, 61); Për të provuar përsëri nevojën e një ‘kthese’ të politikës botërore, po citoj këtu se shpenzimet ushtarake të deklaruara nga shtetet në vitin 2006, kanë arritur në shifrën 1. 204 miliard dollarë. Shpenzimi, gjithnjë në rritje, në vitet e fundit, ka arritur në 184 dollarë për frymë, duke pasur parasysh gjithë popullsinë botërore. Prandaj është më se e nevojshme të zhduket ose së paku të kufizohet sa më shumë që të jetë e mundur rreziku që subjekte jo shtetërore (si organizata kriminale e terroriste) të pajisen me armë bërthamore; e është po aq urgjente që vetë shtetet të merren vesh për programin e çarmatimit të përgjithshëm, i cili parashikon edhe shfrytëzimin për zhvillim të burimeve njerëzore e materiale, që ishin caktuar për shpenzimet ushtarake. E me këtë sy duhen parë edhe ambicjet bërthamore jo vetëm të Iranit e të Koresë së Veriut, por edhe të fuqive të tjera, si India, fuqitë përendimore dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. “Equilibri i terrorit”, i bazuar mbi të ashtuquajturën “strategji e frikësimit” e mbi armët bërthamore, nuk e garanton, por e kërcënon paqen e familjes njerëzore. Gara e armatimeve e kufizon zhvillimin e popujve dhe ushqen mosbesimin reciprok dhe izolimin e shteteve në nivel rajonal e ndërkombëtar. Duhet të rinisemi nga “çarmatosja e zemrave”, nga mirëbesimi ndërmjet popujve e nga fuqizimi i organizmave ndërkombëtare. Jo vetëm Agjensia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), por çdo shtet e çdo njeri luajnë rol vendimtar në përpjekjen për sigurimin e paqes.
Pyetje: - Burimet e kursyera nga armatimet, mund të përdoren për projektet e zhvillimit, nga të cilat mund të përfitojnë mbarë banorët e tokës, e në radhë të parë, të varfërit (Benedikti XVI, Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2006 “Paqja gjendet tek e vërteta”); sa realist është ky mesazh?
Përgjigje: - Mesazhi është posaçërisht realist e koherent me atë që sapo thamë për lidhjet ndërmjet çarmatimit e zhvillimit. Dëshiroj të nënvizoj dy pika. Mbi të gjitha, Benedikti XVI na kujton mësimin magjistral të Palit VI, sipas të cilit ‘zhvillimi është emri i ri i paqes’ (Populorum progessio, 76). Siç e çekëm më lart, ka një lidhje të ngushtë ndërmjet çarmatimit e zhvillimit, e prej këndej, ndërmjet zhvillimit e paqes. Një nga kushtet e nevojshme për zhvillimin e paqen e popujve është, pa dyshim, çarmatimi.
Pyetje: - Selia e Shenjtë ka qenë gjithnjë në kundërshtim me përhapjen e armëve bërthamore. Ç’rëndësi ka, në këto rrethana, fakti i antarësisë së saj në Agjensinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AEIA)?Përgjigje: - Selia e Shenjtë është në favor të paqes e të sigurisë së familjes njerëzore. Prandaj ajo përpiqet në nivel ndërkombëtar për “çarmatimin e përgjithshëm, të ekulibruar e të kontrolluar” (Përmbledhje e doktrinës shoqërore të Kishës, 508), e jo vetëm në sektorin bërthamor, por edhe në atë kimik e biologjik si dhe në fushën e armëve të zakonshme. Në këto rrethana kuptohet menjëherë rëndësia e punës së Selisë së Shenjtë si anëtare-themeluese e Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA).
Pyetje: - Ati i Shenjtë uron që teknologjia bërthamore të përdoret për qëllime paqësore dhe në sektorin energjitik. Sot flitet shumë për këtë mundësi me vlerë të veçantë për njeriun e për ambientin! Hirësi, a mund të na e thoni edhe një fjalë për këtë mundësi?
Përgjigje: - Shqetësimi për sigurimin e për shëndetin e njeriut e të planetit është më se i ligjshëm, në se e shohim edhe në këndvështrimin e dëmtimeve në sektorin bërthamor (mjafton të mendojmë për Çernobilin, ose për daljet radioaktive të shkaktuara pikërisht këto ditë nga tërmeti në Japoni, në centralin e Khasivazaki-Kariva). Edhe kjo të shtyn të mendosh drejt e të caktosh në mënyrë të arsyeshme pikat themelore të politikës hipotetike bërthamore. E jo më pak, të mendosh se teknologja bërthamore, në vend që të përdortet për qëllime armiqësore, mund të përdoret për qëllime paqësore. Në fushën mjekësore janë të njohura rezultatet e arritura nga radiologia bërthamore: në fushën e bujqësisë, studimet e Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) po përpiqen të vërtetojnë se teknologjia bërthamore mund të ndihmojë shumë në zhvillimin e prodhimit bujqësor. Por sektori që krijon më shumë shqetësim, duket se është ai energjitik. Megjithatë, pasi të garantohet siguria e impianteve dhe depove; të rregullohet nën mbikqyrje të rreptë prodhimi, shpërndarja dhe tregtimi i energjisë bërthamore, më duket se krijohen të gjitha mundësitë për një politikë energjitike të integruar. Përveç kësaj, mendoj se është e nevojshme, më shumë se kurrë, që në këtë çast historik të hapet një diskutim i qetë e publik mbi energjinë bërthamore, në mënyrë që shtetet ta marrin seriozisht këtë burim të energjisë. Ta zhdukësh energjinë bërthamore për arsye parimore ose nga frika e katastrofave, mund të jetë gabim e në disa raste të çon në efekte paradoksale. Mjafton të mendojmë se Italia, e cila në vitin 1987 hoqi dorë nga prodhimi i energjisë bëthamore, sot e importon të njëjtën energji bërthamore nga Franca dhe eskporton centrale bërthamore përmes shoqërive me kapital publik. Si përfundim, mund të them se është nevojë e detyrë të vlerësohet me urtinë më të madhe mundësia e përdorimit paqësor të teknologjisë bërthamore. E kjo, me vetëdijen se veprat e gjeniut njerëzor, prej këndej edhe arritjet në fushën bërthamore, duhen vënë në shërbim të familjes njerëzore. Teknologjia në vetvete nuk është e keqe: e keqe bëhet kur përdoret keq.







All the contents on this site are copyrighted ©.