2007-08-01 17:35:14

Rubrika ‘Me Nënë Terezën’ e cila, në emisionin e parë, fillon të na flasë për jetën e saj.


(01.08.2007 RV)RealAudioMP3 Në atmosferën meditative që krijojnë dy data përkujtimore: 26 gushti, 97 vjetori i lindjes së Ganxhe Bojaxhiut dhe 5 shtatori, kur mbushen 10 vjet nga dita e kthimit të së Lumes Terezë tek Ati qiellor, e ftuam simbolikisht Nënë Terezën në mikrofonin tonë, duke iu lutur të na e tregojë, me gojën e vet, jetën e saj aq të jashtzakonshme, me besim se vendi i themelueses të Kongregatës së bamirësisë nuk do të mbetet kurrë i zbrazët: të tjerë po ecin e do të ecin në gjurmët e saj, drejt të varfërve, dmth drejt Krishtit.
Për Nënë Terezen janë shkruar shumë biografi. Është realizuar edhe një film, pa kujtuar këtu mijëra shkrime kushtuar së Lumes, që kanë parë e shohin dritën e shtypit në revistat e gazetat e mbarë botës, sepse misioni i saj vijon. Vijon jo vetëm përmes veprimtarisë së mijëra motrave të saj, por edhe përmes veprimtarisë së përditshme të çdo besimtari të krishterë, që dëshiron të shuajë etjen e Krishtit në kryq për dashuri.
Ndërmjet gjithë këtyre shkrimeve, zgjodhëm biografinë, që na u duk më afër së vërtetës mbi jetën e saj.
Nuk është autobiografi, që e shkroi ajo vetë, me dorë të saj.
Nënë Terezës as që i shkoi ndonjëherë mendja të shkruante një autobiografi. Ndoshta, po ta kishte porositur Papa (e ajo njohu Papën Pali VI e Gjon Palin II) edhe mund ta kishte shkruar, për të bërë dëgjesën shenjte. Por atë që nuk ia kërkuan kurrë papët, ajo e tha me gojë, për t’i shprehur Jezusit dashurinë e saj të pakufishme, pa i shkuar në mend se dikush i mblidhte ditë për ditë fjalët e saj.
Këto fjalë, të mbledhura nën kujdesin e Josè Luis Gonazales-Balado, u radhitën në librin ‘Jeta ime’, që ju ftojmë ta shfletojmë së bashku në një cikël emisionesh kushtuar së Lumes, titulluar ‘Me Nënë Terezën’ duke nisur nga:
“Thirrja e familja e Nënë Terezës”:
(Zëri i Nënë Terezës)
Me gjak e gjini jam shqiptare;
me nënshtetësi, indiane.
Jam murgeshë katolike.
Për thirrje, i përkas mbarë botës,
por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.
Linda në Shkup (Shqipëri) në vitin 1910,
Im atë kishte një dyqan të vogël ku shiste material ndërtimi.
Kisha një motër e një vëlla.
Ishim familje e lume. E shumë e bashkuar.

Unë jam një lapës i vogël në dorë të Zotit.
Është ai që shkruan.
Ai, që mendon.
Është ai që vendos.
E përsëris. Unë jam veç një lapës i vogël, i vogël.
Isha ende shumë e re – vetëm 12 vjeçe – e jetoja në gjirin e familjes, kur ndjeva për herë të parë dëshirën për t’iu kushtuar plotësisht Zotit.
Mendova për këtë dëshirë, duke u lutur për ditë, gjashtë vjet me radhë.
Nganjëherë më dukej se s’më kishte thirrur askush, se nuk duhet të shkoja askund.
Gjithsesi do të vinte çasti kur do të bindesha për thirrjen time.
Zoja e Letnicës ndërmjetësoi për mua e më ndihmoi ta dëgjoj zërin e Zotit që më thërriste vërtet.
Në çastet kur nuk isha e sigurtë për thirrje, më ndihmoi shumë këshilli i nënës sime, që më thoshte gjithnjë: “Kur ta pranosh një detyrë, çoje deri në fund me gëzim. Përndryshe, mos e prano fare”.
Një herë i kërkova drejtuesit tim shpirtëror një këshill për thirrjen time. E pyeta:
“Si mund ta di se Zoti më thërret e pse më thërret?
Më përgjegji:“Do ta kuptosh, në se do ta ndjesh veten të lumtur. Në se do të të bëjë të lumtur ideja se Zotit të thërret për t’i shërbyer Atij e të afërmit, kjo do të jetë prova e sigurtë për thirrjen tënde. Gëzimi i zemrës është si një lloj busulle. Duhet të shkojmë ku na drejton, edhe atëherë kur busulla na prin drejt një shtegu të shtruar me gjemba.







All the contents on this site are copyrighted ©.