2007-08-01 17:34:11

Papa në audiencën e përgjithshme: feja shprehet përmes dashurisë. Përshëndetja drejtuar skautëve dhe gëzimi për fitoren e Kupës së Azisë nga Iraku.


(01.08.2007)RealAudioMP3 Rreth 5 mijë besimtarë e pritën sot paradite në sallën e Palit VI Benediktin XVI, që erdhi me helikopter në Vatikan nga Kastel Gandolfo pikërisht për audiencën e përgjithshme. Duke vijuar katekizmin për Etërit e Kishës, Papa përfundoi atë që kishte nisur më 4 korrikun e kaluar, kushtuar Shën Bazilit. Theksoi kryesisht thirrjet e Shenjtit drejtuar besimtarëve për të medituar mbi misterin e Zotit, për t’u treguar të kujdesshëm ndaj të afërmit dhe për t’u dhënë shembull të mirë të rinjve. Së fundi Papa përshëndeti skautët, që sot kremtuan njëqindvjetorin e historisë së tyre dhe shprehu gëzimin për fitoren e kupës së Azisë nga skuadra irakiane e futbollit.
Shën Bazili mund të konsiderohet një nga etërit e Doktrinës Shoqërore të Kishës; me jetën e me shkrimet e tij na fton të reflektojmë për misterin e Hyjit, të pranojmë se veprat e dashurisë së krishterë kanë rëndësi të dorës së parë për të shprehur fenë e t’i nxisim, si Ai, të rinjtë, për të kërkuar me ngulm të vërtetën. Këtë nënvizoi Benedikti XVI, duke vënë në dukje pse ky Atë i Kishës, që ka jetuar në shekullin IV, është tepër aktual:
“Së pari, pse na nxit për një pjesëmarrje të vëmendshme, kritike e krijuese në kulturën e sotme; pastaj për përgjegjësinë shoqërore, në kohën kur në botën e globalizuar edhe popujt gjeografikisht të largët, janë vërtetë i afërmi ynë; për miqësinë me Krishtin, me Hyjin që ka fytyrë njerëzore e, së fundi për njohjen e Hyjit krijues, Atë i të gjithëve. E vetëm në se ia hapim zemrat këtij Hyji, që është Ati ynë i përbashkët, mund të krijojmë një botë të drejtë, një botë vëllazërore”
Papa kujtoi thirrjet e vazhdueshme që Shën Bazili u drejtonte besimtarëve për t’i shfrytëzuar energjitë që burojnë nga Pagëzimi në drejtim të Eukaristisë, për të mos përbuzur asnjë njeri e për të mos e fyer Krishtin, duke u sjellur në mënyrë çnjerëzorë me të tjerët. Kur ia ngulim sytë Krishtit - pohoi Papa - e kuptojmë plotësisht ç’do të thotë dinjiteti i njeriut e, si citoi një homeli të Atit të Kishës, shtoi:
“I krishteri, duke jetuar në përkim me Ungjillin, pranon se njerëzit janë të gjithë vëllezër ndërmjet tyre; se jeta është mbarështim i të mirave që kemi marrë nga Zoti e se secili nga ne ka përgjegjësi ndaj të tjerëve”.
Duke përshkruar kujdesin e Shën Bazilit për të rinjtë, Benedikti XVI vuri theksin mbi rëndësinë që i jep Ati i Kishës studimit të klasikëve të letërsisë greke e latine:
“Duhet marrë nga tekstet e autorëve klasikë ajo, që është bindëse e që përkon me të vërtetën: e kjo duhet bërë duke i parë me sy kritik, duke dalluar të mirën nga e keqja. Këta libra duhen përdorur duke ndjekur shembullin e bletëve. Ato shkojnë të thithin nektar lule më lule, por nuk thithin gjithçka, marin vetëm atë që u duhet për të bërë mjaltin e të tjerat i lënë. Edhe ne, në se jemi të urtë, marrim nga këto shkrime atë që na duhet, që përkon me të vërtetën e lëmë mënjanë atë që nuk na shërben”.Në përfundim të audiencës, Benedikti XVI shprehu kënaqësinë për fitoren e Kupës së Azisë nga skuadra irakiane e futbollit, duke theksuar:
“Mbeta thellësisht i prekur nga entuziazmi që përfshiu të gjithë banorët, duke i shtyrë të dalin nëpër rrugë për të festuar këtë ngjarje të madhe. Ashtu si shumë herë kam qarë së bashku me irakianët, ashtu kësaj here u gëzova së bashku me ta. Kjo përvojë e ndarjes së gëzimit me të tjerët tregon dëshirën e këtij populli për një jetë normale e të qetë. Uroj që kjo ngjarje të kontribuojë për të realizuar në Irak, me ndihmën e të gjithëve, një ardhmëri me paqe e liri të vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.