2007-07-31 17:23:57

Vijonë zjarret në pyjet e jugut e të veriut të Shqipërisë e lajme të tjera.


(31.07.2007 RV)RealAudioMP3 Në Shqipëri vijon situata e vështirë, e krijuar për shkak të zjarreve. Vatra kryesore është ajo e Gërmenjit. Zjarri ne pyllin e Germenjit ka rënë rreth 6 ditë më parë dhe për shuarjen e tij u angazhuan forca të ushtrisë, shërbimit pyjor, banorë të zonës, etj. Që nga rënia e këtij zjarri u përfshinë nga flakët dhe konsiderohen si të dëmtuara më shumë se 700 hektarë me pyll halor si pisha e bredha.
Ndërkaq aksi Kukës- Tiranë është bllokuar për disa orë. Një zjarr i madh përfshiu këto ditë edhe masivin pyjor në Qafën e Malit, duke bllokuar për afro katër orë kalimin e automjeteve në rrugën nacionale që lidh Shqipërinë me Kosovën. Kjo zonë, e njohur për bllokime të shpeshta të rrugës nacionale gjatë rreshjeve të borës në dimër, këtë radhë është bllokuar si asnjëherë tjetër në mesin e verës për shkak të flakëve të zjarrit. Është dashur ndërhyrja e menjëhershme e zjarrëfikësve, personelit të Drejtorisë së Pyjeve, ushtrisë si dhe vullnetarëve në mënyrë që zjarri të vihet nën kontroll dhe të mundësohet kalimi. Ky është zjarri i parë kaq i madh që bllokon për orë të tëra një aks rrugor kombëtar në veri të vendit. Disa ditë më parë një tjetër zjarr i madh në Qafën e Llogarasë, bllokoi për disa orë kalimin në aksin kombëtar që lidh qytetin e Vlorës me zonën e bregut të Jonit dhe qytetin e Sarandës.
Mesazhe urimi për presidentin e ri shqiptar, Bamir Topi
Mesazhe të shumta urimi iu drejtuan presidentit të ri shqiptar, Bamir Topi. Dy drejtuesit e lartë të institucioneve evropiane, Terri Dejvis dhe Hose Manuel Barroso, në mesazhet e tyre kanë theksuar se roli i presidentit në integrimin e Shqipërisë është shumë i rëndësishëm. Presidenti i Komisionit Evropian shprehet se e vlerëson jashtëzakonisht angazhimin e Topit për të qenë nxitës i bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare.  Presidentin Topi e uruan edhe krerët e superfuqive ekonomike dhe politike të Evropës perëndimore dhe lindore, presidentët e vendeve të Ballkanit si dhe zyrtarë të institucioneve evropiane, ndërsa urimet e fundit erdhën nga Mbretëresha Elizabetë dhe Presidenti rus, Vladimir Putin. I urojnë suksese për reformimin e Shqipërisë drejt integrimit të saj në institucionet e rëndësishme evropiane. Putin nuk ka harruar t’i kujtojë Topit, në kuadër të çështjes së Kosovës, misionin e tij për “ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.







All the contents on this site are copyrighted ©.