2007-07-31 17:24:39

Papa na fton të lutemi për Kinën: një muaj pas publikimit të Letrës së tij drejtuar katolikëve të Republikës popullore të Kinës.


(31.07.2007 RV)RealAudioMP3 “Që Kisha në Kinë të dëshmojë lidhjen gjithnjë më të fortë e të manifestojë bashkimin real e të dukshëm me pasardhësin e Pjetrit”: ky është ndjeti misionar i lutjes për muajin gusht. Për këtë ndjet reflekton atë Vito Del Prete, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit Papnor Misionar, një muaj pas publikimit të Letrës së Atit të Shenjtë drejtuar besimtarëve të Kishës katolike që jetojnë në Republikën popullore kineze:
Pyetje: - Atë Vito, Letra e Papës u ndoq me interes të madh nga mjetet ndërkombëtare të shtypit, interes që, për fat të keq, zgjati vetëm pak ditë...
Përgjigje: - Besoj se mjetet e komunikimit ishin të interesuara më shumë të njihnin qëndrimin e sotëm të Selisë së Shenjtë ndaj qeverisë kineze në nivel diplomatik. Ndërsa Letra i drejtohet kryesisht bashkësisë katolike kineze. Çështja kineze duhet parë në përkim me termat kishtare. Duhet pastruar kujtesa, sepse duke filluar nga viti 1948 e tutje, problemet kanë qenë tepër të mëdha. Duhet harruar se një pjesë e Kishës pranon një identitet të krishterë në kundërshtim me palën tjetër. Duhet që të gjithë besimtarët të mendojnë për bashkimin e të gjitha kishave, jo vetëm të Kishës së Kinës, por të mbarë botës, e për unitetin me Papën. E ky është fakt kishtar, nuk është fakt politik.
Pyetje: - Të rifitosh këtë bashkim, natyrisht do të thotë, në një farë mënyre, të rikrijosh pengesa për marrëdhëniet diplomatike, të cilat mund të kërkojnë kohë shumë më të gjatë…
Përgjigje: - Është mirë që Selia e Shenjtë interesohet të lidhë marrëdhënie diplomatike, po jo me çdo kusht. Gjëja kryesore, që i intereson Kishës, është të arrihet bashkimi brënda episkopatit kinez e katolikëve në Kinë. Kina po kalon një periudhë ndryshimesh të mëdha, e jo vetëm ekonomike, por edhe shoqëroro-kulturore. E kjo do të thotë se po formon një identitet të ri. Në këtë kuadër, Kisha kineze duhet të përballojë sfidën e ungjillëzimit në mbarë botën e në Kinën e sotme. E në këto rrethana, duhet të kapërcejë përçarjet, gjykimet e palëve që janë në kundërshtim me njëra tjetrën e, sidomos, nuk duhet të ndikohet nga organet e krijuara prej shtetit për të kontrolluar Kishën. Mund të themi, pra, se çështja ka të bëjë me ndërgjegjën e katolikëve. Këtu mbështetet edhe besimi i Papës, sepse katolikët kinezë, të dyja palët, kanë zemër të krishterë, e nga kjo zemër duhet të burojë përvujtëria.
Pyetje: - Në këtë rrugë drejt bashkimit Kisha në Kinë ka vërtetë nevojë për lutjen e Kishës universale…Përgjigje: - Kjo është gjëja kryesore, e Papa ka thënë gjithnjë se nuk është çështje kompromisesh politike, por çështje bashkimi ndërmjet kishave; e ky bashkim nuk duhet parë vetëm si fakt kishtar, por kryesisht si ndikim i Shpirtit Shenjt. Prandaj duhet të kthehemi te lutja, te kundrimi e t’i kërkojmë Atit qiellor t’i japë mbarë gjinisë njerëzore hirin e bashkimit, e katolikëve kinezë, hirin t’i kapërcejnë përçarjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.