2007-07-30 17:27:35

Sekuestrimi i njerëzve të pafajshëm është në kundërshtim me ligjin hyjnor: thirrje e Papës në lutjen e Engjëllit të Tënzot për lirimin e pengjeve në Afganistan dhe për çarmatimin bërthamor.


(30.07.2007 RV)RealAudioMP3 Paqja, impenjimi kundër armatimeve bërthamore dhe thirrja që të lihen të lirë pengjet koreane në Afganistan – ishin temat që preku dje Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot në selinë verore të Kastel Gandolfos, pas periudhës së kaluar në Lorencago të Kadores, mes bjeshkëve të Dolomiteve. Për ta pritur, në qytezën laciale, që Papa e quajti ‘vendlindja ime e dytë’ – qindra kastelanë e veronjës, mbledhur në oborrin e Pallatit apostolik. Benedikti XVI bëri thirrje për lirimin e 22 jugkoreanëve, prej 12 ditësh peng në duart e luftëtarëve talebanë. Fjalët e Papës, shqiptuar pas lutjes mariane, iu drejtuan të gjithë atyre që janë njollosur me një krim të tillë në vise të ndryshme të botës:
Po përhapet ndërmjet grupeve të armatosura praktika e përdorimit të njerëzve të pafajshëm për realizmin e qëllimeve të tyre. Kemi të bëjmë me shkelje të rënda të dinjitetit të njeriut, që janë në kundërshtim me çdo normë fillestare të qytetërimit e të së drejtës e që e fyejnë rëndë ligjin hyjnor. Bëj thirrje që autorët e akteve të tilla kriminale të heqin dorë nga e keqja e bërë dhe t’i kthejnë të pacënuara, viktimat e tyre”.
Paqja në Tokë - në qendër të vëmendjes së Benediktit XVI i cili, para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot u ndal tek një përvjetor i rëndësishëm: më 29 korrik, 50-vjet më parë, hynte në fuqi Statuti i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), themeluar – kujtoi Papa – me mandatin për të nxitur e për të zhvilluar kontributin e energjisë atomike në shërbim të paqes, të shëndetit e të prosperitetit të botës mbarë, qëllime këto, me të cilat bashkohet plotësisht Selia e Shenjtë, anëtare e këtij organizmi qysh nga themelimi, që vijon ta mbështesë veprimtarinë e saj:
“Ndryshimet epokale që kanë ndodhur në 50-vjetët e fundit, vënë në dukje se, në udhëkryqin e vështirë në të cilin ndodhet njerëzimi, është gjithnjë më aktual e më urgjent impenjmi për inkurajimin e mospërhapjes së armëve bërthamore, për promovimin e konkordatit progresiv të çarmatimit bërthamor e për favorizimin e përdorimit paqësor e të sigurtë të teknologjisë bërthamore, për një zhvillim të vërtetë, që respekton ambientin e i kushton vëmendje të dorës së parë popullsive më pak të zhvilluara”.
Gara e armatimeve – kujtoi Papa, duke cituar atë që shkruhet në Katekizmin e Kishës Katolike – duhet të zevendësohet me përpjekjen e përbashkët për shfrytëzimin e burimeve, në shërbim të objektivave, që i japin shtytje zhvillimit moral, kulturor dhe ekonomik, duke rishikuar përparësitë dhe shkallën e vlerave.
“Më pas, një lutje për paqe drejtuar Zojës së Bekuar:
“…posaçërisht që njohuritë shkencore e teknike të zbatohen gjithnjë me ndjenjën e përgjegjësisë për të mirën e përbashkët, duke respektuar plotësisht të drejtën ndërkombëtare”.
Së fundi, përshëndetjet, në gjuhë të ndryshme, duke filluar nga përshëndetja drejtuar polakëve, përmes së cilës kujtoi shtegtarët e vdekur në aksidentin rrugor gjatë kthimit nga shenjtërorja e La Salettë. “Zoti ju mbrojtët të gjithë juve – tha më pas Papa – në rrugët që ju çojnë drejt vendit të pushimeve”; më pas përshëndetja të rinjve, sidomos kastelanëve, që dje merrnin pjesë në festën tradicionale të mbledhjes së pjeshkëve; e, së fundi, falënderimi për kryetarin e bashkisë të Kastel Gandolfos, për autoritetet lokale, famullitarin si dhe meshtarët e famullisë së Shën Tomës nga Vilanova, ku Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën Shenjte në solemnitetin e Ngjitjes së Zojës së Bekuar në qiell.







All the contents on this site are copyrighted ©.