2007-07-29 14:53:42

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(29.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot, e diela XVII e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar, Kisha katolike përkujtoi edhe Shën Martën, nxënëse e Zotit si dhe Shenjtorët Simpliçi, Faustini Beatriçja, Rufi e Feliçi, martirë.
“Zoti hyn në jetën e njeriut në majë të gishtërinjve. Atëherë në zemra ndizet një shkëndijë dashurie e fafon një flakëz feje, e cila na shndërron e na ndihmon të gjejmë rrugën e drejtë, rrugën e fesë, që çon te Ati”. Ky reflektim buron nga liturgjia e festës së Shën Pjetër Krizologut, ipeshkëv i Ravenës e doktor i Kishës, që do të kremtohet të hënën.
Të martën Kisha do të kremtojë Shën Injacin e Lojolës, meshtar, themelues i Shoqërisë së Jezusit. Liturgjia e festës na bind se vetëm besimi në praninë e Zotit, krijon kushtet që në jetën tonë të rritet e të piqet gruri i veprave të mira.
Në përkujtimin e Shën Alfonsit Maria de Liguori, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Kongregatës së Shëlbuesit dhe shtatë vëllezërit Makabej, që do të kremtohen të mërkurën, liturgjia na kujton se besimi në Krishtin është një thesar i çmuar, që e shndërron e i jep vlera gjithë jetës sonë, në sa dashuria është perlë vezulluese, që na ndriçon në çdo hap.
Shën Euzebi, ipeshkëv i Verçelit, Shën Pjeter Gjuliani Eimard, meshtar, themelues i Sakramentinëve e Shën Shtjefni papë, që do të kremtohen të enjten, na kujtojnë se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar. Të premten e ardhshme Kisha do të kremtojë festën e Shën Lidies, nxënëse e Shën Palit. Na nxit të meditojmë se koha e jeta na rrëshqasin nëpër duar pa u kujtuar. Si të krishterë që jemi, duhet ta njohim planin misterioz të Zotit. Nuk duhet të ndalemi në sipërfaqe të gjërave por duhet ta pranojmë thirrjen e tij përmes fakteve e njerëzve që takojmë në rrugët e jetës.
Shenjtorët Gjon Maria Vianei, famullitar i Arsit, pajtor i klerit dhe Justini e Kreshenci, martirë, që do të kremtohen të shtunën, me liturgjinë e festës së tyre na kujtojnë se ata që kanë në dorë frenat e botës, mund t’i mbysin profetët, por nuk mund ta bëjnë të heshtë zërin e Zotit. E zëri i Zotit lartohet kundër padrejtësive, shtypjes, dhunës përmes zërit të të krishterëve. Ta ngrejmë, pra zërin në mbrojtje të drejtësisë, edhe në se do të na duhet ta paguajmë me jetën tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.