2007-07-29 15:17:02

Kryqi dhe ikona e DBR-së Sidneit 2008 shtegtojnë nga Meitlëndi në Lismore të Australisë.


(29.07.2007 RV)Kryqi dhe ikona e Ditës XXIII Botërore të Rinisë vijon të shtegtojnë nëpër dioqezat e Australisë. Këtë javë simbolet e DBR-së arritën në dioqezën Meitlënd- Njukastël, ku u pritën nga mijëra besimtarë e ku do të qëndrojnë deri të martën e ardhshme, më 31 korrik. Simbolet, mbartur nga një grup të rinjsh, shtegtuan nëpër fshatrat e përmbytura nga shirat e shumta që ranë këto ditë, duke shkatërruar prodhimet bujqësore. U kremtua edhe një procesion si edhe ceremonia tradicionale e tymit. Më 31 korrik të rinjtë e Mëitlënd- Njukastël do t’ua dorëzojnë Kryqin dhe ikonën e DBR-së bashkëmoshtarëve të dioqezës së Lismores. Sipas njoftimit përmes kanalit të vet të internetit, dioqeza e Meitlëndit do të mikpresë më se 3 mijë të rinj amerikanë, holandezë e jugamerikanë. E nuk duhet harruar kryesorja: ka filluar tashmë përgatitja shpirtërore për ngjarjen e madhe. Ky muaj është tepër i pasur me katekizëm, veprimtari solidariteti e vullnetariati. Natyrisht, në qendër të vëmendjes, është reflektimi i Papës në Mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë, 2008, që do të kremtohet pas një viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.