2007-07-29 14:48:44

Festa e Shën Martës në Vatikan.


(29.07.2007 RV)Sot përkujtojmë Shën Martën, motrën e Marisë e të Lazrit. Banonin të tre në Betani, një fshat pranë Jeruzalemit, mbrapa Malit të Ullinjve, pak kilometra nga Qyteti Shenjt.
Duhet të ishin familje e kamur, me që qenë në gjendje t'i jepnin strehë e ushqim Jezusit me të Dymbëdhjetë Apostujt, kur këta ishin në kalim nga Galileja drejt Jeruzalemit e pastaj në ditët që i paraprinë kryqëzimit. Jezusi i donte fort Marinë, Martën e vëllanë e tyre, Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri" . Të gjitha këto i gjejmë të shkruara nga Shën Gjoni Ungjilltar.
Festa e Shën Martës kremtohet në mënyrë të posaçme në Vatikan, ku sonte, sipas traditës së përvitshme, u organizua proçesioni me qirinj të ndezur nëpër rrugicat e Kopshteve të Vatikanit, ndër më të bukurit në botë. Proçesioni, që ka filluar në orën 20. 00, ka përshkuar tashmë një pjesë të mirë të udhës, me pesë ndalesa, sipas pesë mistereve, duke nisur nga ikona e Zojës së Çestokovës, tek Zoja e Guadalupes, Zoja e Fatimës, Zoja e Lurdës, Zoja e Rojes e deri te Zoja e Mëshirës, pranë Kullës së Radio Vatikanit. Proçesioni do të përfundojë pas pak me himnin marian: “Të falem Mbretëreshë, Nëna e mëshirës”
Ikona e Zojës së mëshirës ndër Kopshtet e Vatikanit u vendos me dëshirën e Papës Gjon Pali II, që nisi ta nderonte Virgjërën Mari me këtë titull që kur ishte në Vilnius e që i kujtonte edhe përfundimin e enciklikës Veritatis Splendor. Si në vitet e kaluara, në misterin e pestë, motrat e klauzurës të Kuvendit “Nëna e Kishës” në Vatikan, do të thonë pjesën e parë të Falemi Mërisë, duke u bashkuar përmes radios me kremtuesit në proçesin, simbol i bashkimit në një lutje të vetme të Marive të jetës kundruese me Martat e jetës aktive, ndërmjet të cilave shumë nga ato që i shërbejë nga afër Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.