2007-07-27 17:52:28

Sot Benedikti XVI përfundoi pushimet dhe arriti në Kastel Gandolfo.


(27.07.2007 RV)RealAudioMP3 Pas 19 ditë pushimi e studimi paraditeve, shëtitjesh të shkurtëra në vendet e kultit pasditeve, Benedikti XVI u përshëndet me Kadoren, duke u lënë banorëve vendas e turistëve, që i takoi rastësisht gjatë shëtitjeve, mbresa të thella për humanitetin e tij.
Çaste emocionesh jetoi edhe sot pasdite qyteti i Lorencagos, që e përshëndeti me dashuri Papën para nisjes. Për këtë atmosferë na flet i dëguari i gazetës ‘Avvenire’ Salvatore Maca:
Përgjigje: - Njerëzit ishin të gjithë në shesh. Valaviteshin flamujtë në shesh e në dritaret e shtëpive të Lorencagos e dukeshin që larg stemat e Papës ngjitur mbi xhamat. Sot paradite gjithçka ishte në lëvizje për t’i stolisur sa më mirë sheshin e shtëpitë. Lorencago nuk i tha Papës lamtumirë, por mirupafshim, me shpresë të plotë se do ta shohë përsëri vitin e ardhshëm, në sa të gjithë e pritën kur zbriti nga makina për të arritur në eliport, ku Ati i Shenjtë e malësorët shkëmbyen përshëndetjen e përzemërt të paranisjes.
Pyetje: - Si e kaloi Papa mbasditën e fundit në Kadore?
Përgjigje: - Ishte një mbasdite shumë e qetë. Papa, pasi përshëndeti paradite autoritetet e ndërmarrjes pyjore, ndenji në shtëpi. Nuk doli. Ishte e vetmja ditë që nuk doli, siç ka bërë çdo mbasdite, për të vizituar vendet e vogla të kultit për rreth Lorencagos e për të thënë Rruzaren. E kaloi gjithë mbasditen, deri në mbrëmje, rreth vilës.
Pyetje: - Ç’ mbresa lë Papa në kujtesën e banorëve të Lorencagos?
Përgjigje: - Mbetet në kujtesë mahnitja për këtë Papë kaq të ndrojtur, kaq mikpritës, kaq të njerëzishëm. Kush pati fatin t’i afrohej, tregon se Ati i Shenjtë është njeri shumë i thjeshtë. E pikërisht me këtë thjeshtësi Papa ua fitoi zemrat gjithë banorëve të Lorencagos.
Benedikti XVI u largua nga Kadore, por që aty i drejtoi shumë mesazhe Kishës e botës. E kjo dëshmon se 19 ditët e kaluara ndërmjet bjeshkëve, nuk qenë ditë pushimi absolut. I nxitur nga kujtimet e Imzot Andrih për luftën e madhe botërore mbi majat e dolomiteve, Papa përsëriti mesazhin e Palit VI: ‘Kurrë më luftë!” dhe fjalët me të cilat Benedikti XV dënonte ‘masakrat e kota’, që i hapën aq shumë plagë njerëzimit duke u kujtuar të gjithëve detyrën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Shumë herë gjatë këtyre pushimeve, Papa kujtoi paqen: “Falënderojmë Zotin që sot Evropa gëzon paqe” - theksoi pas koncertit të koreve malësore, që kënduan këngë kushtuar luftës; ‘T’i themi ‘jo’ çdo forme të dhunës’ – përsëriti, duke komentuar plot gëzim lirimin e Atë Bosit.
Këto mesazhe dëshmojë qartë se Papa pushoi duke punuar. Posaçërisht paraditën ia kushtoi gjithnjë studimit e veprimtarisë krijuese, duke punuar për enciklikën e tij të re me temë shoqërore, por edhe për vëllimin e dytë të librit ‘Jezusi i Nazaretit’.
Kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, u kujdes që Papa të ishte gjithnjë i informuar për problemet e përditshme të Selisë së Shenjtë. Për këtë ishte edhe në Kadore, ku mbajti një konferencë shtypi, gjatë së cilës u prekën pikërisht temat kryesore aktuale: nga kriza ndërkombëtare, tek zhdëmtimi për rastet e pedofilisë në Los Ánxhelos; nga shtegtimi i Papës në Brazil tek letra e Atit të Shenjtë drejtuar katolikëve të Kinës, ku situata, sipas Benediktit XVI, është akoma e ndërlikuar, prandaj nuk ka arritur ende koha për një shtegtim papnor në Pekin. Ndërkaq në Lorencago ishte kryeipeshkvi i Hong Kongut, kardinali Zen-ze-kiun, së bashku me 30 diakonë dhe me familjarët e tyre, ndërsa në gjithë botën katolike vijon diskutimi për Motu proprion e Papës lidhur me lejimin e kremtimit të Meshës në gjuhën latine.
Pak para nisjes, Benedikti XVI u takua me meshtarët e Trevizos e të Belunos, të cilët i porositi të mos bëhen burokratë të Kishës, por të venë në jetë këto tri porosi: të luten, të shërbejnë, e të kumtojnë, me këmbët e ngulura mirë në tokë e me sytë e drejtuar nga qielli!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.