2007-07-27 18:49:36

Putin: pavarësia e Kosovës, kërcënim për paqen në Evropë


(27.07.2007 RV)Sipas presidentit rus, Vladimir Putin, shpallja e pavarësisë së Kosovës do të përbënte një kërcënim të madh për paqen në Evropë. “Në këtë moment, populli serb po mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit të vet”, tha ai në një ceremoni zyrtare në Kremlin. “Në Evropë, nuk mund të vendoset paqja, pa marrë parasysh parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare”.
Fjalët e tij inkurajojnë autoritetet e Beogradit, të cilat vënë re shenja kundërshtimi ndaj pavarësisë së Kosovës edhe nga disa shtete evropiane, si Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Qiproja. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç deklaron sot për agjensinë amerikane të lajmeve AP (Ësoshiejtid Pres) se Beogradi do të përdorë kohën e bisedimeve për të ushtruar presion, që statusi i Kosovës të mos jetë pavarësia. Ky qëndrim, vështirë të mbështetet sot në Uashington, ku Jeremiç dhe delegacioni serb po takohet me autoritetet amerikane, ndër të cilat sekretarja e shtetit, Kondolica Rajs. Kësaj jave, Rajs i ka siguruar kosovarët se Uashingtoni do të bëjë ç’është e mundur për njohjen e pavarësisë së Kosovës, sapo të përfundojë periudha e bisedimeve.







All the contents on this site are copyrighted ©.