2007-07-27 17:53:30

Më 28 korrik 19 vjetori i vdekjes së Atë Pjetër Meshkallës


(27.07.2007 RV)RealAudioMP3 Datë për t’u kujtuar, ndërmjet datave të tjera, e nesërmja: mbushen 19 vjet nga vdekja e Njeriut të madh, Shqiptarit të madh e Meshtarit të madh jezuit: Atë Pjetër Meshkallës (25 shtator 1901 - † 28 korrik 1988).
Për këtë përkujtim, nga shkrimet e shumta që na la trashëgim, shkëputëm një Lutje e një Meditim, që mishërojnë plotësisht figurën vigane të këtij Burri imcak, ende të panjohur si e sa duhet:L U T J E
O Zoti em,
ma fal sinqeritetin,
ma fal instinktin me e njoftë hipokrizinë;
Epma guximin të vërtetën
vetes me ia thanë pa frikë,
si kirurgu me ia vu thikën gangrenës;
hidrën m’e shtypë, sa herë kërkon t’ çojë krye,
mos t’jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,
as vorr i zbardhun jashtë, e mbrendë kufomë.
O Zoti em,
epma sinqeritetin e fëmijës së pafajshëm,
të thjeshtë e t’ pa mashtri!
Sinqeritetin e njerëzve vullnet-mirë,
që paqë lypin me vetën, me shokun
e me TY !
Oh, kjo lutje nuk asht h i p o k r i z i !
Meditim: ‘Ambicioni i temelit’.
Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në tê gurë te mëdhaj e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët…zhduken, nuk shihen ma…hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë…deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdhaj o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë…Qe ambicioni i temelit : Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm një Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh një Shqipni të lumtun!







All the contents on this site are copyrighted ©.