2007-07-27 18:53:18

Lajme nga bota


(27.07.2007 RV)Talebanët kanë vendosur ta shtyjnë sërish afatin e ultimatumit për ekzekutimin e 22 pengjeve koreanojugore. Kësaj radhe, talebanët tregohen të bindur se qeveria e Kabulit është e interesuar ta zgjidhë çështjen, prandaj nuk kanë fiksuar një afat të ri. Ata kërkojnë lirimin e të burgosurve talebanë nga burgjet e Afganistanit ku mbahen.

Administrata e presidentit amerikan Bush është thellësisht e deziluzionuar nga roli i Arabisë Saudite në stabilizimin e Irakut. Kështu shkruan sot gazeta “Nju Jork Tajms”, e cila sqaron se Riadi akuzohet për sabotim të përpjekjeve të qeverisë së Al Malikit në ndalimin e ardhjes së xhihadistëve sauditë në Irak. Arabia Saudite furnizon me fonde grupet sunite, kundër qeverisë shiite të Al Malikit, e cila konsiderohet si agjenturë e Iranit. Javës që vjen, do të shkojnë për vizitë në Riad, sekretarja amerikane e shtetit, Kondolica Rajs dhe sekretari i shtetit për Mbrojtjen, Robert Gejts.
Ndërkaq, në Irak, gjatë një sulmi të forcave amerikane në Qerbela, kanë mbetur të vrarë 10 irakianë e janë plagosur 28 të tjerë.

Ekstremistë islamikë kanë okupuar sërish xhaminë e kuqe në Islamabad, e cila sot u hap për publikun, pasi iu besua një imami të zgjedhur nga qeveria pakistaneze. Autoritetet, pas rrethimit të parë që arriti kulmin me sulmin e 10-11 korrikut e me vdekjen e 75 personave, e kishin meremetuar xhaminë e lyer me të bardhë, duke e quajtur xhamia qendrore G-6, sipas emrit të lagjes. Studentët e Kuranit, protestuan sot ashpër e duke hypur mbi çati, e lyen atë sërish me të kuqe dhe i dhanë emrin e mëparshëm. Policia është tërhequr para protestës.
Ndërkaq, pranë xhamisë është hedhur në erë një kamikaze, duke shkaktuar 11 viktima, por bilanci nuk është përfundimtar.


Komisioni Evropian ka ndërmend të caktojë një fond prej 10 milion eurosh për të ndihmuar viktimat e paqëndrueshmërisë politike dhe të energjencës klimatike në Somali. Ndihma përbëhet nga ushqime, ujë dhe asistencë shëndetësore dhe do t’u takojë 1,5 milion somalëve, që jetojnë kryesisht në zonat qendrore dhe jugore të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.