2007-07-27 18:55:00

Izraeli: shpejt bisedime për paqen me palestinezët


(27.07.2007 RV)Kryeministri izraelit Ehud Olmert dëshiron të fillojë urgjentisht bisedimet për paqen me palestinezët. Sipas zv.kryeministrit, që nga marrja e Rripit të Gazës nga Hamasi, presidenti palestinez dhe kryeministri i ri kanë treguar një dëshirë të madhe për bashkëpunim e janë impenjuar në procesin e paqes dhe në luftën kundër terrorizmit. Në mbështetje të këtyre deklaratave, gazeta izraelite “Haretz” shkruan sot se organizata palestineze të sigurisë, besnike ndaj presidentit Abu Mazen, i kanë dhënë Izraelit informacione të dobishme për të ndaluar atentate terroriste në shtetin hebraik.
Ndërkaq, nga ana palestineze, presidenti Abu Mazen përgatitet të lajë llogaritë me ata që lejuan kalimin e Rripit të Gazës në duart e Hamasit. Sot, atij iu dorëzua një raport 200 faqesh, ku akuzohen repartet e al Fatahut në Gazë për nepotizëm e mungëse koordinimi. Raporti nuk është bërë publik, por thuhet se në të shpjegohet se grupet e Al Fatahut ishin infiltruar nga njerëz të Hamasit, të cilët e morën kalanë nga brenda.
Në planin politik, një grup eksponentësh politikë, afaristë dhe personalitete të tjera palestineze po punojnë për të formuar një parti të tretë, të ndryshme nga Al Fatahu dhe Hamasi, në perspektivën e zgjedhjeve të reja të mundshme. Thuhet se kjo parti mbështetet nga kryeministri i përkohshëm, Salam Fajad, por ky i fundit nuk ka bërë asnjë koment për çështjen.








All the contents on this site are copyrighted ©.