2007-07-26 19:48:16

Jeruzalemi pas 40 vjetësh pushtimi izraelit


(26.07.2007 RV)RealAudioMP3 40 vjet më parë, Izraeli shtrinte kontrollin e tij edhe mbi Jeruzalemin Lindor. Pas së ashtuquajturës “luftë të gjashtë ditëve”, filluar më 5 qershor 1967 me bombardimin izraelit kundër forcave ajrore, së pari të Egjiptit e pastaj të Sirisë, Shteti hebraik pushtoi Sinain dhe Rripin e Gazës nga Egjipti, Çisjordaninë, duke përfshirë edhe Jeruzalemin Lindor, nga Jordania dhe lartësitë e Golanit nga Siria. Për një koment historik mbi këto fakte, bazë për konfliktet e sotme në Lindjen e Mesme, intervistuam Marçela Emilianin, docente e Zhvillimit Politik të Lindjes së Mesme në Universitetin e Bolonjës dhe autore e librit “Toka e kujt? Gjeografia e konfliktit arabo-izraelito-palestinez”:
Nga pikpamja hebraike u realizua ëndrra gati dymijëvjeçare e diasporës izraelite. Të mos harrojmë, se hebrenjtë e gjithë botës, që nga viti 70 pas Krishtit e deri në vitin 1967 përshëndeteshin me shprehjen “vitin tjetër në Jeruzalem”. Jeruzalemi është pra vendi i shpirtit, është qendra e krejt hebraizmit në nivel botëror dhe ka një domethënie simbolike të jashtëzakonshme.
Pas marrjes së Jeruzalemit Lindor, cilat kanë qenë pasojat historiko-politike për Lindjen e Mesme?
Me një farë largpamësie, zona e vendeve të shenjta, që përfshin dy xhamitë e Al Aksait dhe të Shkëmbit, si edhe Muri i Lotëve është lënë e hapur për kultet. Por krejt pjesa e Jeruzalemit të vjetër ka pësuar një proces hebraizimi të vazhdueshëm e kjo është përjetuar si humbje e madhe nga të gjithë e sidomos nga pjesa myslimane e popullsisë. Popullsisë lokale me origjinë arabe dhe myslimane nuk i lejohet të zgjerojë banesat e veta e, nga ana tjetër, është rritur kolonizimi si i Jeruzalemit të vjetër, ashtu edhe i zonës metropolitane pranë pjesës lindore të Jeruzalemit. Me kalimin e viteve, popullsia hebraike e ka tejkaluar në numër atë me origjinë arabo-myslimane.
Gjatë këtyre viteve ka pasur shumë takime ndërkombëtare, ku është përvijuar ideja e Jeruzalemit si kryeqytet i dy shteteve. A është e realizueshme kjo ide, duke pasur parasysh tensionet që ekzistojnë ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve?
Problemi është nga më të rëndët e krejt Lindjes së Mesme, sepse duhet parë në ç’kuptim përdoret emri Jeruzalem. Në marrëveshjen e Oslos, e cila u nënshkrua në vitin 1993 e më pas dështoi, palestinezët kënaqeshin me fshatin Abu Dis, që ndodhet në zonën metropolitane të Jeruzalemit Lindor, si vend simbol i Jeruzalemit. Por që nga viti 2000, me shpërthimin e Intifadës së dytë e me dështimin e Takimit të nivelit të lartë në Kamp Dejvid, palestinezët ngulin këmbë se me Jeruzalem nënkuptojnë Jeruzalemin brenda mureve. Duke parë të kaluarën, mund të gjenden disa zgjidhje, si për shembull, ajo e parashikuar nga Plani i ndarjes i OKB-së në vitin 1947. Jeruzalemi shihet si një zonë e ndërkombëtarizuar, nën kontrollin ndërkombëtar, pa ndonjë ngjyrim etnik e pra, as hebraik, as arab. Por nuk besoj se shteti i Izraelit do të heqë dorë nga Jeruzalemi si kryeqytet e, nga ana tjetër, edhe palestinezët nuk janë më të gatshëm të kthehen mbrapsht e të gjejnë zgjidhje me kompromis.
Pra, çfarë mund të parashikohet për të ardhmen?
Parashikohet që të arrihet ndonjë formë bashkëndarje të hapësirave dhe të administratës. Por unë e shoh si perspektivë shumë të largët.







All the contents on this site are copyrighted ©.