2007-07-26 19:44:19

Grupi i Kontaktit cakton Trojkën për bisedimet serbo-kosovare


(26.07.2007 RV)Grupi i Kontaktit për Kosovën vendosi mbrëmë të formojë një Trojkë ndërmjetsuesish për të kontrolluar bisedimet e reja të serbëve me shqiptarët, që duhet të përcaktojnë statusin e vendit. Sipas burimeve diplomatike, në të do të marrin pjesë një amerikan, një rus dhe një përfaqësues i Bashkimit Evropian, që mund të jetë Stefan Lene, zëvendësi aktual i Përfaqësuesit të Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Havier Solana. Për amerikanët, do të marrë pjesë në diskutime, Frenk Uisner, i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Kosovën.
Përfaqësuesit evropianë kanë ngulur këmbë që bisedimet të zgjasin vetëm 120 ditë, por mesa duket Moska e ka hedhur poshtë edhe këtë propozim, duke kërkuar të mos vendoset afat kohor. Brukseli shpreson t’i zgjidhë këto probleme dhe të caktojë përfundimisht përfaqësuesin e vet, javën që vjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.