2007-07-26 18:57:10

Benedikti XVI përshëndetet plot mirënjohje nga autoritetet e nga banorët e Kadores. Nesër Papa do të niset për Kastel Gangolfo.


(26.07.2007 RV)RealAudioMP3 “Kohë pushimi fizik e shpirtëror, në një vend ku mirësisë hyjnore, të pasqyruar në bukuritë e natyrës, iu shtua edhe mirësia njerëzore e të gjithë atyre, që u kujdesën për pushimet e tij”: këto janë disa nga fjalët që u tha Benedikti XVI autoriteteve civile dhe forcave të rendit, që i siguruan shërbimin për ruajtjen e personit të Tij, duke i përshëndetur gjatë takimit të përzemërt para largimit nga bjeshkët e Kadores. Ishte një takim i shkurtër lamturmire, që tingëlloi më shumë si ‘mirupafshim’, së paku kështu iu duk 22 kryetarëve të bashkive, që ishin mbledhur për ta përshëndetur Atin e Shenjtë para nisjes.
“Miq të dashur – u tha Papa - në përfundim të këtyre dy javëve të kaluara këtu, mes Dolomiteve, mund të them vetëm faleminderit me gjithë zemër. Ju falënderoj të gjithëve e secilin prej jush, për shërbimin tuaj e impenjimin tuaj. Prania juaj e heshtur, e matur e kompetente, ditën e natën, më krijoi mundësitë të pushoj mrekullisht mirë, në korp e në shpirt. Dëshiroj të falënderoj autoritetet civile, ushtarake, kishtare e secilin nga ju, për këtë impenjim në kohë pushimesh. Në Librin e Psalmeve lexojmë: “Mirësia jote, o Zot, më rrethon, si malet e amshuara”. Këtu jemi të rrethuar nga kjo mirësi hyjnore, që bëhet e dukshme përmes bukurisë së bjeshkëve. Por gjatë gjithë kësaj kohe, përveç kësaj bukurie, më rrethoi gjithnjë edhe mirësia njerëzore, mirësia juaj, që më shoqëroi hap pas hapi. Ishit për mua engjëj të vërtetë rojës, të padukshëm, të heshtur, por gjithnjë të pranishëm, gjithnjë të gatshëm për të më shërbyer, prandaj mbetet i pashlyer kujtimi i kësaj pranie të përditshme. E prandaj edhe dua t’ju falënderoj ju të gjithëve e t’ju uroj edhe juve pushime të bukura. E bekoj secilin nga ju, së bashku me gjithë të dashurit”. Kështu u shpreh Papa një ditë para se të largohet nga Lorencago e Kadores, ku kaloi dy javë të frytshme pushimi, meditimi e pune. Ajo që ra më shumë në sy gjatë këtyre javëve, ishte ngrohtësia e simpatia me të cilën e rrethuan banorët e veronjësit, gjë që e preku thellësisht Papën. Në një intervistë, dhënë gazetës italiane ‘Il Giornale’ sekretari i Benediktit XVI, imzot Georg Genshvain, tregon se edhe vetë Benedikti XVI mbeti i habitur, madje edhe i befasuar, nga gjithë kjo ngrohtësi, simpati e dashuri nga ana e njerëzve që e ndoqën, pa e shqetësuar, në sa pushonte, lutej, punonte, shëtiste, duke filluar që nga fëmijët – nënvizoi imzot Georg – që, si zakonisht, guxuan më shumë se të mëdhenjtë t’i afrohen Papës, sa herë e panë që afrohej gjatë shëtitjeve të tij e të tyre. Prandaj mund të themi se janë ditë pushimi, që përfundojnë me përshëndetjen shumë miqësore ndërmjet Papës e Kadores, siç pohon edhe i dërguari i gazetës ‘Avvenire’, Salvatore Maca, i pranishëm në mikrofonin tonë çdo ditë, gjatë këtyre dy javëve të pushimit të Papës:
Përgjigje: - Një takim në prag të përfundimit të këtyre pushimeve të Papës. Ati i Shenjtë priti e përshëndeti kryetarët e bashkive të 22 komuneve që formojnë bashkësinë e madhe të Kadores. Së bashku me kryetarët e bashkive, ishin të pranishëm edhe të gjithë përfaqësuesit e policisë, të ndërrmarrjes pyjore, të të gjitha institucioneve, që dhanë ndihmesën e tyre për suksesin e këtyre pushimeve papnore në Kadore. Ishte një çast prekës – siç treguan më pas kryetarët e bashkive dhe të pranishmit e tjerë në Kështjellën e Mirabelos. I emocionoi thellësisht të gjithë ata që patën fatin ta dëgjojnë përshëndetjen plot mirënjohje të Papës. Pyetje: - Mund të themi, atëhere, se ishte një takim i përzemërt, në të cilin nuk munguan as shakatë me kripë. Për shembull, kryetari i bashkisë së Lorencagos tha se do të votonte menjëherë një referendum për bashkimin e Kadores me Qytetin e Vatikanit…
Përgjigje: - Janë shaka të holla që të dalin vetvetiu e që dëshmojnë për krijimin e një atmosfere familjare.
Pyetje: - A ka shenja të dukshme që tregojnë se Papa është i pranishëm në Lorencago? Ç’ka bërë komuna për këtë rast?
Përgjigje: - Komuna, pa arritur ende Papa, e mbushi plot gjithë vendin me flamuj vatikanas e italianë. Prej këndej edhe shakaja e kryetarit të bashkisë së Lorencagos, vend që këto ditë duket si të ishte filial i Vatikanit.
Pyetje: - A doli në shëtitje Papa mbrëmë?
Përgjigje: - Po, Papa shkoi për të vizituar kishën shumë të lashtë të Shën Orsolës; e kryeprifti i foli për vlerat e kësaj kishte, që është vërtetë e bukur. Papa e vlerësoi shumë e tha: “Sa mirë që këto bukurira nuk janë muze, por vende kulti”. E këtë e tha sepse kjo Kishë funksionon në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, e nuk është kthyer në muze, për të kënaqur kureshtarët.







All the contents on this site are copyrighted ©.