2007-07-26 18:57:22

Aktualiteti i Koncilit, revolucionet e ‘68-tës e faktet e ‘89-tës ishin ndër temat që preku Papa në takimin me klerin belunez e trevinjan.


(26.07.2007 RV)RealAudioMP3 Aktualiteti i Koncilit II të Vatikanit ishte një nga temat qëndrore në takimin e Benediktit XVI me klerin e dioqezave të Beluno-Feltres e të Trevizos, që u mbajt të martën e kaluar në Kishën e Shën Gjystinës Martire në Auronco të Kadores. Një nga 400 meshtarët e pranishëm tha se qe përgatitur me shumë entuziazëm gjatë viteve të Koncilit. Këtyre fjalëve Papa iu përgjigj duke skicuar një kuadër historik të viteve pas-konciliare: Koncili II i Vatikanit – shpjegoi Papa – krijoi vërtetë përshtypjen e Rrëshajëve të reja, me të cilat Kisha do të mund ta bindte përsëri njerëzimin. Por kohët që pasuan Koncilin u karakterizuan nga zhvillime të tilla historike, që krijuan kriza të reja e hapën plagë të reja:
“Pas largimit të botës nga Kisha e tetëqindës e e nëntëqindës, dukej se Kisha e bota po takoheshin përsëri, se po lindte bota e re kristiane e Kisha e botës, vërtetë e hapur për botën. Shpresuam shumë, por punët nuk ishin aq të thjeshta sa dukeshin. Gjithsesi mbetet trashëgimia e Koncilit, që hapi një rrugë të re; është gjithnjë magna charta themelore e rrugës në të cilën ecën Kisha”.
Kështu u shpreh Papa e më pas shtoi se ta shtiesh mesazhin e madh të Koncilit në jetën e Kishës, ta pranosh e ta asimilosh, është vuajtje. Por pa vuajtje – vijoi Ati i Shenjtë – nuk ka zhvillim. Bëhet fjalë për përmirësime të ngadalshme, por të vazhdueshme, siç pohon atë Mikele Simone, zëvendës-drejtor i revistës së jezuitëve, “Civiltà cattolica:
Përgjigje: - Padyshim. Siç dëshmon historia, duhet të kalojnë gjithnjë tre, katër ose pesë breza për t’i bërë plotësisht vepruese vendimet e një Koncili. Posaçërisht, përsa i përket Koncilit II të Vatikanit, ka pasur edhe teprime. Por tani, dalëngadalë, po duken edhe shumë anë pozitive për Kishën. Koncili ekumenik nisi të vihej në jetë në një situatë jo të lehtë kulturore e historike. Pas tragjedisë së Luftës II Botërore, shpresohej të lindte një epokë e re, e lirë nga çdo ideologjizëm, që do të çonte në rizbulimin e rrënjëve të krishtera të Evropës. Por shpërthimi i krizës kulturore të Perëndimit në ‘68-tën shkaktoi shqetësime të reja. E nuk duhet të harrojmë se katolikët, ashtu si gjithë kristianët, jetojnë në shoqëri e nuk janë të paprekshëm nga fenomenet shoqërore, si për shembull nga individualizmi i skajshëm, që karakterizon botën perëndimore, me pasoja të rënda në fushën etike, por edhe në fushën e kulturës, e cila vijon të varfërohet në mënyrë të frikshme.
Pyetje: - Papa foli edhe për shembjen e regjimeve komuniste të 1989-tës, që pritej të sillte ndryshime të thella historike si dhe rikthimin në fe…
Përgjigje: - Pritej shumë nga rënia e Murit të Berlinit e nga pasojat e kësaj ngjarjeje. Në të vërtetë, në këndvështrimin e shoqërisë, por edhe të Kishës, nisi të ndjehej një individualizëm i fortë, pa mohuar edhe elementet pozitive, si liria, demokracia. Duhet kujtuar posaçërisht liria fetare, që favorizon shërbimin e katolikëve në gjirin e shoqërisë, për të mirën e përgjithshme.Duke jetuar në atmosferën e këtyre kthesave të mëdha kulturore: revolucionit të ’68-tës e ngjarjeve historike të 89-tës, gjithsesi Kisha vijoi me përvujtëri rrugën e saj. Në këtë rrugë – tha Benedikti XVI gjatë takimit me meshtarët – gjindet bota e re:
Më duket shumë e rëndësishme që tani mund të shohim me sy hapur zhvillimet pozitive të pas Koncilit: në përtëritjen e liturgjisë, në sinodet, sinodet romake e në sinodet universale, në strukturat famullitare, në bashkëpunimin, në përgjegjësinë e re të laikëve, në bashkëpërgjegjësinë ndërkulturore e ndërkontinentale, në një përvojë të re të katolicitetit të Kishës, të unanimitetit që rritet në përvujtëri – duhet të shikojmë shpresën e vërtetë të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.