2007-07-25 16:54:28

Sot në Santjago të Kompostelës


(25.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot Santjago i Kompostelës ishte në festë: kremtonte Pajtorin e Galicisë e të gjithë Spanjës, Shën Jakun. Për festën e madhe, që ndjehet fort në mbarë Evropën, prej nga nisen çdo vit shtegtarë të shumtë, na flet, nga Kompostela, Atë Injacio Arregui:
“Pas procesionit fetar, që përshkoi disa nga rrugët e qendrës historike, filloi Eukaristia solemne në katedrale, kryesuar nga kryeipeshkvi, imzot Julian Barrio, shoqëruar nga ipeshkvijtë e zonës. Kryeipeshkvi i Santjagos së Kompostelës bëri thirrje për njohjen publike të vlerave të krishtera, që përbëjnë trashëgiminë historike e kulturore të mbarë Spanjës. Idealin e martirit e propozoi si shembull për besimtarët në çaste vështirësish e krizash, për të ripohuar fenë e besnikërinë ndaj vlerave të Ungjillit”. E, siç thamë më sipër, sot mijëra shtegtarë arritën në qytetin spanjoll, për të marrë pjesë në kremtimet fetare. Të dëgjojmë dëshminë e Luc Adrian, besimtar që i ka përshkruar mbresat e shtegtimit të tij të përvitshëm në këtë vend të shenjtë, në librin me titull “Kompostela: shënime të një shtegtari’. Na shpjegon ç’i shtyn mijëra shtegtarët të nisen herë në këmbë e herë me mjete nga më të jashtzakonshmet, drejt Shenjtërores së famshme spanjolle…
Përgjigje: - Mbi të gjitha, mrekullia. Është një shtegtim në të cilin ndeshesh vazhdimisht me mrekullinë, duke nisur nga bukuritë e natyrës, që ndryshon vazhdimisht gjatë shtegtimit, tek shkëlqimi i arkitekturës, realizuar në mesjetë për të pritur shtegtarët. Përvoja e shtegtimit të bën të hysh brënda vetvetes, ta kuptosh në tërësi vetveten, misticizmin tënd, shpirtin tënd. Kur ecën drejt Shën Jakut, në të vërtetë ecën drejt një varri, drejt një vendi që simbolizon vdekjen. Por për shtegtarin ky vend kthehet në simbol jete, i kujton premtimin e jetës së pasosur, ku nuk mund të arrihet, pa kaluar përmes vdekjes. E ne e dimë se jeta e pasosur është në ne, përmes Jezu Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.