2007-07-25 16:54:41

Kreu i kishës kineze Liu Bainian pret që Papa të shkojë në Pekin.


(25.07.2007 RV)“Shpresoj me gjithë zemër të arrijë sa më shpejt ajo ditë, kur ta shoh Papën në Pekin, duke kremtuar Meshën për ne, kinezët’. Këto fjalë i shqipton për gazetën italiane ‘La Repubblica’ Liu Bainian, 74 vjeç, autoriteti më i lartë i Shoqatës patriotike të katolikëve. E, kujton e përditshmja, prijësi i lartë i Kishës tjetër kineze, asaj që i nënshtrohet qeverisë, është protagonist i ‘shizmës kineze’ menjëherë pas revolucionit komunist.
Katolikët italianë – pohon Bainian – nuk mund as ta përfytyrojnë sa dëshirë kemi për ta parë Papën. Përmes gazetës, dëshiroj t’i drejtoj Atit të Shenjtë një përshëndetje të posaçme: ta dijë se lutemi gjithnjë për të e se i kërkojmë Zotit hirin ta shohim mes nesh.
Liu, që deri tani konsiderohej armiku numër një i Vatikanit – nënvizon gazeta - nuk shihet me sy të mirë nga katolikët e vërtetë kinezë, të cilët vijojnë ta jetojnë fenë në katakombe, me rrezik që të përfundojnë në burg ose në kampet e riedukimit. Por sot është edhe njeriu me të cilin lidhen të gjitha shpresat për rivendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e Pekinit, të ndërprera – kujton gazeta italiane - që nga viti 1951.Liu Bainian, një lloj kryetari laik i Konferencës episkopale kineze, që regjimi e konsideron si autoritet shumë më të lartë, se ipeshkvijtë e Kishës, të cilët i binden Papës, nënvizon se Letra e Benediktit XVI drejtuar kinezëve është një hap para në këtë drejtim. Gjithnjë sipas tij, vërehet një ndryshim i madh pozitiv ndërmjet Letrës papnore të 30 qershorit e qëndrimeve të mëparshme të Vatikanit. Nuk ka asnjë rresht kundër socializmit – nënvizon Liu Bainian - e ne nuk akuzohemi më për shkëputje nga Kisha katolike universale. Është hera e parë që kinezët e ndjejnë se është e mundur të jesh katolik e njëkohësiht ta duash vendin tënd. Prandaj dëshiroj t’i them Papës se lutemi për të – vijon të përsërisë kryetari i kishës patriotike të kontrolluar nga regjimi - e, së fundi, prek edhe temën e marrëdhënieve me Romën, duke pohuar: “Ne ndjekim Selinë e Shenjtë. Jemi të pavarur prej saj vetëm ekonomikisht e politikisht”.







All the contents on this site are copyrighted ©.