Telegram ngushëllimi i Papës për shtegtarët polakë që humbën jetën në aksidentin e
Grenoblës.
(24.07.2007 RV)Që dje Polonia është
në zi për vdekjen e 26 shtegtarëve që humbën tragjikisht jetën dy ditë më parë pranë
qytetit francez Grenoblë, pasi autobusi me të cilin udhëtonin, u përmbys nga një
urë. E në këtë hidhërim merr pjesë edhe Papa, i cili nis nga Lorencago e Kadores një
telegram me nënshkrimin e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio
Bertone, drejtuar metropolitit të Szecin-Kamien, imzot Kaminskit. “Udhëtimi i shtegtarëve
– lexohet në telegram – u ndërpre dramatikisht në rrugën e kthimit nga La Salette,
që për shumë prej tyre u bë rruga e fundit e shtegtimit tokësor. Na ngushëllon besimi
në Mëshirën Hyjnore, që na shtyn të mendojmë se tashmë duhet ta kenë gjetur cakun
e tyre në lumninë e Atit të amshuar. Për gjithë të vdekurit - lexohet akoma – Papa
i lutet Zotit t’u japë dhuratën e jetës së pasosur në gëzimin e bashkimit me Krishtin,
ndërsa uron që të plagosurit të rifitojnë sa më parë shëndetin e plotë e familjet
e viktimave – të gjejnë guxim e ngushëllim edhe në këto çaste kaq të dhimbshme.