2007-07-24 18:28:52

Takimet e para për Toni Blerin në Lindjen e Mesme e lajme të tjera


(27.07.2007 RV)Ndërsa demokratët amerikanë përpiqen të sigurojnë afate për kthimin e trupave nga Iraku, komanda ushtarake ka përgatitur një plan, që parashikon një rol të rëndësishëm të SHBA-ve në vend të paktën deri në verën e vitit 2009. Dokumenti, i botuar sot në gazetën “Nju Jork Tajms” flet për forcimin e sigurisë në Bagdad dhe ndihmesën për pajtimin e liderëve politikë, deri në dorëzimin e armëve nga grupet e rebelëve.
Në terren, forcat amerikane kanë kapur sot 20 terroristë në veri të Irakut. Në një atentat të përgjakshëm në Hila, janë vrarë 26 vetë dhe janë plagosur mëse 60 të tjerë. Ndërkaq, në raundin e dytë të bisedimeve SHBA-Iran në nivel ambasadorësh, Uashingtoni akuzon Iranin se mbështetja që u jep milicive shiite është rritur. Gjithsesi, është rënë dakord që të krijohet një komitet i përbashkët ndërmjet amerikanëve, iranianëve dhe irakianëve për problemet e sigurisë e të stabilitetit në Irak.


Parlamenti evropian përshëndeti me kënaqësi lirimin e 5 infermiereve bullgare dhe të mjekut palestinez me kombësi bullgare, të ekstraduar nga Libia për në Bullgari e më pas të falur nga presidenti bullgar, Parvanov. Deklarata u bë sot nga presidenti i Asamblesë evropiane, Hans Gert Pëtering. Sipas Libisë, stafi mjekësor ishte përgjegjës për infektimin e 400 fëmijëve libikë me virusin e Sidës, pavarësisht se bashkësia ndërkombëtare i konsideronte të pabaza provat e paraqitura.

Takimet e para të ish-kryeministrit britanik, Toni Bler me autoritetet izraelite dhe palestineze, në detyrën e të dërguarit të Kuartetit për Lindjen e Mesme. Sot ai foli në Jeruzalem me presidentin izraelit Shimon Peres dhe me kryeministrin Olmert, si edhe në Ramallah me presidentin palestinez, Abu Mazen. “Nga bisedimet që pata, perceptova një lloj mundësie për paqe – deklaroi Bler. Që kjo mundësi të kthehet në hapa konkrete duhet punuar e reflektuar në kohë”.

Trupa afgane dhe ushtarake të koalicionit ndërkombëtar deklaruan sot se kanë vrarë rreth 40 talebanë në Afganistan. Dje, talebanët hynë në luftime me një karvan ushtarak, të cilin e sulmuan në provincën e Helmandit. Përsa i përket pengut gjerman, talebanët kanë kërkuar tërheqjen e trupave të Gjermanisë dhe lirimin e 33 të burgosurve, por nuk kanë vendosur ultimatum. Ka skaduar ndërkaq ultimatumi për 23 evangjelistët koreanojugorë, të kapur javën e shkuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.