Nesër Grupi i Kontaktit për Kosovën. Rusia: baza është rezoluta 1244, jo plani i Ahtisarit
(24.07.2007 RV)Grupi i Kontaktit përgatitet të fillojë nesër mbledhjen e parë
të maratonës 120 ditëshe, e cila duhet të ulë në tryezën e bisedimeve kosovarët dhe
serbët për gjetjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Do të jetë e vështirë që palët
të merren vesh ndërmjet tyre, por edhe më e vështirë do të jetë përcaktimi i një qëndrimi
unik ndërmjet 27 vendeve evropiane, me Rusinë gati të kundërshtojë çdo lloj propozimi
që edhe së largu premton pavarësinë e vendit. Në mbledhjen e djeshme të ministrave
të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel dolën në pah tri kërkesa kryesore: së
pari, fillimi i bisedimeve të vlefshme serbo-kosovare, që të zgjasin rreth 120 ditë;
së dyti nevoja e përfshirjes më të madhe të Evropës në proces, nëpërmjet krijimit
të Trojkës SHBA-Rusi-BE, e cila duhet të udhëheqë bisedimet për tre muaj; së treti,
arritja e një qëndrimi unik brenda Bashkimit Evropian dhe mbajtja e tij në kohë. Ftesa
për ta marrë punën më ngadalë duket se është pranuar edhe nga Uashingtoni, i cili,
pavarësisht se konfirmoi gatishmërinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, i ftoi
dje kosovarët në takim me sekretaren e shtetit Kondolica Rajs, të shmangin shpalljen
e pavarësisë para se të përfundojnë 120 ditët e Grupit të Kontaktit. Ekipi i Unitetit,
me në krye presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, deklaroi se nuk do të bëjë asnjë hap
përpara në atë drejtim, pa konsultuar më parë aleatët. Se përse kosovarët duhet
të presin, e sqaroi dje pa doreza ministri italian i Punëve të Jashtme, Masimo D’Alema.
“I takon Bashkimit Evropian – tha ai – të marrë përsipër peshën financiare të një
operacioni ndërkombëtar që është vlerësuar në tre miliard euro në vit”. Pa këto miliarda,
“Kosova nuk shkon askund”. Ndërkaq, Moska nuk ka pritur shumë për të shpalosur
qëndrimin e saj. Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se baza mbi të cilën
duhet të punojë Grupi i Kontaktit është rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, ku
nuk cënohet sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, e jo plani i Ahtisarit.