2007-07-24 18:25:33

I nxehti afrikan bën të ngrihen temperaturat në Ballkan. Probleme serioze me energjinë në Shqipëri


(24.07.2007 RV)Vala e të nxehtit të jashtëzakonshëm të këtyre ditëve vazhdon të shkaktojë probleme në Ballkan. Në Shqipëri temperatura ka arritur në 42 gradë Celcius në shumë qytete të vendit. Në Tiranë, në urgjencat e spitaleve dhe të poliklinikave paraqiten çdo ditë rreth 100 persona me shqetësime serioze në zemër e luhatje tensioni. Në pediatri numri i pacientëve të vegjël ka arritur 220. E ndërsa të premten parashikohet një protestë popullore kundër krizës energjitike, sipas ministrit të energjisë, Genc Ruli duhen 1.6 miliard euro, që Shqipëria të mos ketë kufizime në vitin 2020. Rastet e zjarreve në të gjithë vendin janë aq të shumta, sa qeveria ka kërkuar ndihmën e NATO-s për shuarjen e tyre. Por më keq nga zjarret e ka pësuar Greqia. Vetëm në korrik janë raportuar 1450 vatra.
Nuk janë më mirë vendet fqinjë. Në Bullgari, temperatura në hije ka arritur rekordin e 44 gradëve. Numri i të vdekurve nga vapa në Rumani shënon 18 vetë. Është dëmtuar prodhimi i grurit, me pasojë rritjen e çmimeve për drithërat. Autoritetet kanë kufizuar trafikun, ndërsa trenat qarkullojnë me shpejtësi të ulët. Ne udhëkryqet kryesore janë hapur rreth një mijë pika të ndihmës së shpejtë dhe shpërndahet falas uji.
Një ulje relative e temperaturës do të fillojë të ndihet, duke nisur nga dita e nesërme, siç po ndodh në Evropën Qendrore, por në fund të javës kthehet vapa.







All the contents on this site are copyrighted ©.