Gëzim e vëmendje - në takimin e Benediktit XVI me klerin trevinjan e belunez.
(24.07.2007 RV)Një grup fëmijësht
me lule në duar në prag të Kishës së Shën Gjystinës e, brënda në Kishë, rreth 400
meshtarë nga dioqezat e Beluno-Feltres e të Trevizos. Kjo ishte skena që gjeti Benedikti
XVI kur arriti sot, në orët e vona të paradites, në Auronco të Kadores për takimin
me klerin vendas. Ishte një shkëmbim pyetje-përgjigjesh, që nisi me kremtimin e Orës
së gjashtë e përfundoi rreth orës 13.00. Për përmbajtjen e takimit flet, në mikrofonin
e Radio Vatikanit, drejtori i përgjithshëm yni dhe i Sallës vatikanase të Shtypit,
atë Federiko Lombardi: Përgjigje: - Dhjetë pyetje, të bëra nga dhjetë
meshtarë të ndryshëm, që prekën disa argumente. Disa prej këtyre argumenteve ishin
problemi i formimit të të rinjve dhe i ndërgjegjes së tyre morale, problemet e jetës
meshtarake, përparësia e shërbimit baritor në situatën aktuale të Italisë e në evolucionin
e situatës historike aktuale. Por u prekën edhe disa tema me rëndësi për të sotmen,
si ungjillëzimi e dialogu: dialogu plot respekt me fetë e tjera, në kushtet e emigracionit
gjithnjë në rritje, por edhe çështja – përherë delikate, që ka të bëjë me shumë njerëz,
e edhe me shumë meshtarë – e të divorcuarve që janë rimartuar ose që bashkëjetojnë
e prej këndej, edhe pyetja si mund të pajtohet mëshira me të vërtetën; pastaj u prek
edhe tema e Koncilit, e besinikërisë ndaj Koncilit dhe ndaj frymës së tij. Argumente
të shumta e të ndryshme që Papa i ka prekur edhe herë të tjera në fjalimet e dokumentet
e tij, por që i thelloi përsëri, në sa meshtarët e pranishëm ndiqnin me vëmendje
të jashtzakonshme çdo fjalë që delte nga buzët e Benediktit XVI. Pyetje: -
Në ç’atmosferë u zhvillua takimi? Përgjigje: - Ishte një atmosferë gëzimi
të madh e vëmendjeje të madhe. Të pranishmit ishin rreth 400 meshtarë, ardhur nga
dy dioqezat. Papa iu përgjigj me qartësinë dhe shpejtësinë e tij të zakonshme të gjitha
pyetjeve që iu drejtuan e që shprehnin mirë – besoj – shqetësimet që kishin në zemër
priftërinjtë. Vëmendja ishte shumë e madhe. Pati edhe një duartrokitje të fuqishme
gjatë zhvillimit të takimit e, natyrisht, edhe në përfundim të tij. Pyetje:
- Mund të themi, atëhere, se Papa ishte i kënaqur në përfundim të këtij takimi? Përgjigje:
- Sigurisht. Më duket se të gjithë u ndanë të kënaqur: meshtarët nga njera anë
e Papa nga ana tjetër. Për Papën takimi me meshtarët është gjithënjë një çast shumë
i bukur. E ka thënë edhe ai vetë. E nuk ishin vetëm ata që e falënderuan Atin e Shenjtë,
por edhe ai i falënderoi për mikpritjen e për atmosferën e këtij takimi.Menjëherë
pas takimit me klerin, Benedikti XVI u drejtoi fjalën atyre që e prisnin para Kishës
së Auroncos. Të dëgjojmë, në mikrofonin e radios sonë, të dërguarin e gazetës italiane
‘Avvenire’, Salvatore Macën: Përgjigje:
- Ishte një çast shumë spontan. Papa tha: “Jam i gëzuar që mund t’ju përshëndes
në këtë vend të mrekullueshëm, në këtë tokë kaq të bukur të Dolomiteve, që më krijoi
kushte të pushoj në trup e në shpirt”. Më pas Ati i Shenjtë shtoi: “Pata mundësi të
thith jo vetëm ajrin që na e ka falur Krijuesi, por edhe ajrin e miqësisë e të përzemërsisë,
për të cilat ju jam mirënjohës ju të gjithëve”. Ishin fjalë të dala nga zemra, fjalë
të ngrohta këto, me të cilat Papa falënderoi banorët e vendit për mikpritjen vërtetë
prekëse. Pyetje: - Në Auronco të Kadores Papën e pritën më se 3 mijë veronjës
e vendas. Ishte hera e parë që Ati i Shenjtë shkonte në Auronco, prandaj për vendin
kjo ishte vizitë historike…. Përgjigje: - Sigurisht, e si zakonisht, u prit
me ngrohtësi të madhe, që vetë Papa e nënvizoi më pas. Turma ishte mbledhur para Kishës
që në nëntë të paradites e priti aty me durim tri orë, derisa Ati i Shenjtë përfundoi
takimin me meshtarët. Pyetje: - Posaçërisht Papa u shtrëngoi dorën të moshuarve,
handikapatëve e fëmijëve të vegjël…. Përgjigje: - Grupi i parë që përshëndeti
Papa ishte ai i të moshuarve e i handikapatëve, që prisnin në anën e mëngjër të portës
së hyrjes, e pastaj, fëmijët që kishin përgatitur edhe një dhuratë për Benediktin
XVI. Ishte një shportë me lule mali, që ia dorëzoi vajza më e vogël e grupit, veshur
me kostum tradicional malësor. Papa i përkëdheli një për një fëmijët e pastaj hyri
në Kishë, ku e prisnin meshtarët.