99-vjetori i shpalljes së Hyrietit – hap i parë drejt pavarësisë së Shqipërisë.
(24.07.2007 RV)Më 24 korrik 1908,
99 vjet më parë turqit e rinj shpallën kushtetutën apo Hyrietin (lirinë), në të gjithë
Perandorinë Osmane. Kjo ngjarje në Shqipëri u prit me gëzim e entuziazëm nga gjithë
populli, që vuante prej shekujsh nën sundimin e autokracisë së sulltanëve. Në manifestimet
që shpërthyen në mënyrë spontane në qytete të ndryshme të vendit, nën parullat e përhapura
në atë kohë “liri, barazi, vëllazëri dhe drejtësi”, populli shprehu solidaritetin
me revolucionin dhe kushtetutën. Të pritur me gëzim nga populli, zbritën nga malet
në qytete luftëtarët e lirisë, çetat kryengritëse, që kishin nisur luftën kundër tiranisë
së sulltanit për çlirimin e Shqipërisë. Drejtuesit dhe shumë veprimtarë të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare shpresonin se, me shpalljen e kushtetutës, shqiptarëve dhe gjithë
kombësive të shtypura do t’u siguroheshin liritë politike e barazia, të premtuara
nga turqit e rinj. Vetëm disa përfaqësues konservatorë të parisë e të klerit të lartë
myslimanë, që merrnin pensione e shpërblime nga sulltani, e pritën shpalljen e kushtetutës
në mënyrë të ftohtë e të përmbajtur. Manifestime të mëdha u mbajtën më 24-29 korrik
në qytetet kryesore të Shqipërisë së Jugut, të Mesme, si edhe në Shkodër e në qytetet
e Kosovës. Gjatë këtyre mitingjeve populli përshëndeti shpalljen e kushtetutës dhe
shprehu njëherazi besnikërinë ndaj Shqipërisë dhe dashurinë për gjuhën shqipe. Në
shumë nga këto qytete ushtarët turq vëllazëroheshin me luftëtarët e çetave. Në këto
manifestime populli shfaqi gjithashtu aspiratat e tij kombëtare. Shpallja e kushtetutës
u kuptua si shpallja e lirisë dhe e të drejtës së vetëqeverisjes së Shqipërisë. Qysh
në ditët e para pas fitores së revolucionit, në shumë qytete, si në Vlorë, Krujë,
Durrës, Tiranë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Kaçanik etj., populli me nismën e
vet filloi të dëbonte nëpunësit e aparatit të vjetër administrativ, mutesarifët, kajmekamët,
gjykatësit, komandantët e xhandarmërisë, të policisë etj., dhe bëri përpjekje për
të marrë pushtetin në duart e veta, duke krijuar komisione që kryenin funksionet e
organeve të vetëqeverisjes, pajtonin gjaqet dhe mbanin rregullin e qetësinë. Shkupi
e kremtoi shpalljen e kushtetutës më 25 korrik, në rrethana të veçanta, i rrethuar
nga forcat e këmbësorisë e të artilerisë turke, që u ngarkuan të ndalonin hyrjen në
qytet të katër mijë fshatarëve të armatosur, të cilët donin të shpallnin autonominë
e Shqipërisë me qendër në Shkup. U lejuan të hynin në qytet vetëm disa dhjetëra nga
prijësit e kryengritësve shqiptarë, që u pritën me gëzim nga populli. Gjithsesi shumë
shpejt shqiptarët do ta kuptonin se liria nuk dhurohet, por fitohet.