2007-07-23 18:23:54

Erdogan garanton reformat në Turqi, pas fitores


(23.07.2007 RV)Mbetemi në rajonin ballkanik, për lajmet e fundit nga Turqia. Në zgjedhjet e djeshme parlamentare të parakohshme, partia për Drejtësinë e Zhvillimin e kryeministrit Tajip Erdogan fitoi thellë, me rreth 47% të votave. Kjo do t’i lejojë Erdoganit të formojë një qeveri njëngjyrëshe, e domosdoshme për qëndrueshmërinë e vendit dhe për kryerjen e reformave, por nuk do t’i mundësojë edhe zgjedhjen e presidentit, apo ndryshime thelbësore në Kushtetutë, për shkak të mungesës së dy të tretave në parlament. Në fjalimin e tij të parë, Erdogan premtoi të vazhdojë reformat dhe përpjekjet për integrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Dy partitë që mbeten në opozitë janë Republikanët me gati 21% të votave dhe ultranacionalistët me mëse 14% të votave. Kthehet në parlament pas vitesh mungese, Partia e nacionalistëve kurdë, me 24 deputetë. Sipas televizioni turk, ka fituar karrigen e tij në parlament edhe lideri i partisë islamonacionaliste, Musin Jaziçoglu, i cili pati organizuar protestën në Kishën e shën Sofisë në Stamboll kundër vizitës së Papës Benedikti XVI në Turqi.







All the contents on this site are copyrighted ©.