2007-07-23 18:19:50

BE-ja duhet të gjejë një qëndrim unik mbi Kosovën


(23.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot u mblodhën në Bruksel, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët hapën konferencën ndërqeveritare për Traktatin institucional evropian, por diskutuan edhe për argumente të tjera të rëndësishme, si çështja e Kosovës.
Që në fillim, konsultimet mes juristëve kanë hasur në vështirësi. Polonia, pas problemeve që shkaktoi në qershor, kur u shpreh kundër sistemit të ri të votimit në Bashkimin Evropian, sot kërkoi që të përdorte opcionin e përjashtimit nga Karta e të Drejtave, e cila parashikohet në Traktatin e ri institucional. Këtë opcion e ka përdorur në qershor edhe Britania e Madhe.
Kalendari i Konferencës ndërqeveritare, e shtata për Bashkimin Evropian, parashikon mbledhjen e menjëhershme të juristëve e më pas një takim të ministrave të jashtëm në shtator. Diskutimi do të vazhdojë në Këshillin evropian të 18 e 19 tetorit për t’u mbyllur në dhjetor, në mënyrë që Traktati i ri të ratifikohet para zgjedhjeve evropiane të vitit 2009 në 27 vendet anëtare. Nuk do të jetë argument bisede përmendja e rrënjëve të krishtera të Evropës, pasi traktati i ri është një marrëveshje, një pakt ndërmjet qeverish e jo më një Kushtetutë, në të cilën do të kishte vend edhe për shprehjen e vlerave, mbi të cilat bazohet Bashkimi Evropian.


Përsa i përket Kosovës, Bashkimi Evropian duhet të gjejë një gjuhë të përbashkët, me të cilën të paraqitet në mbledhjen e Grupit të Kontaktit, të mërkurën, më 25 korrik. Pas falimentimit në Këshillin e Sigurimit, për shkak të mundësisë që Rusia të vendoste veton, çështja e Kosovës i kalon Grupit të Kontaktit, por siç shpjegoi sot ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer, kryesisht Trojkës së përbërë nga SHBA-të, Bashkimi Evropian dhe Rusia.
Nga ana tjetër, Ekipi i Unitetit të Kosovës, ku bëjnë pjesë presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës është takuar sot në Uashington me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs dhe me zyrtarë të tjerë, ndër të cilët edhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Stefën Hadli. Amerikanët mendojnë se Kosova duhet të presë përfundimin e bisedimeve në kuadrin e Grupit të Kontaktit, para së të marrë vendime të njëanshme për statusin.
Ndërkaq, sot në Prishtinë, është zhvilluar një manifestim paqësor, në të cilën protestuesit kërkuan të caktohet një datë për shpalljen e statusit të Kosovës.


Qeveria serbe miratoi sot një rezolutë të re për Kosovën, e cila nesër do të diskutohet në parlamentin e Beogradit. Sipas tekstit, Kosova mbetet nën sovranitetin e Serbisë. Autoritetet pohojnë se janë gati për një fazë të re negociatash dhe i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare të sigurojë bisedime të vërteta e të pakufizuara në kohë. Serbia, theksohet në rezolutë, do t’u përgjigjet energjikisht të gjitha përpjekjeve për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, edhe ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç pritet të takohet me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs, të enjten.







All the contents on this site are copyrighted ©.