358 vjet më parë më 23 korrik 1649 lindi papa me origjinë shqiptare, Klementi XI.
(23.07.2007 RV)Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik
1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij,
ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve
(1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit
(23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës
e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit.
Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krjiuan pas Traktateve të Utrehtit,
të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës.
Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Dha një
kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën
kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve
e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun
Përendimor, Persi, Indi e Kinë.Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua
nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e
Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703)e për botimin e
Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën
tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës
në trojet shqiptare. I dha kështu Dheut të të Parëve ndihmesën e tij të çmuar për
të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare e popullit, që rënkonte
në errësirën e thellë të pushtimit, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt
lirisë. Kjo rreze, si shumë të tjera më pas, nisej nga Froni i Shën Pjetrit, ku në
atë kohë qe ulur Gjon Françesk Albani.