2007-07-21 17:21:36

Një javë me Benediktin XVI në Lorencago të Kadores: sot kremtimi i Engjëllit të Tënzot, pas lutjes para kopjes së Sindonës.


(22.07.2007 RV)RealAudioMP3 Sot para se të kremtonte lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Lorencagos, në praninë e më se 5 mijë besimtarëve, Papa u ndal për t’u lutur në Kishën kryesore të vendit, para një kopjeje të Sindonës.
Sindona, apo pëlhura e shenjtë me të cilën besohet të jetë mbështjellë trupi i zbritur nga kryqi i Jezusit, para se të varrosej, e ekspozuar në kishën famullitare, do të mund të nderohet nga besimtarët deri më 27 korrik, dita e fundit e pushimeve të Atit të Shenjtë.
Sot sheshi kryesor i Lorencagos ishte stolisur si për të kremte të mëdha: në qendër ishte vendosur një tribunë e stolisur me lule edhe një ekran i madh, për t’i krijuar mijëra besimtarëve mundësinë të ndjekin më parë Meshën shenjte, të bashkëkremtuar në shesh nga ipeshkvi i Beluno-Feltres, imzot Gjuzepe Andrih me ipeshkvijtë e tjerë të zonës e dhjetra meshtarë e pastaj edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, e dyta dhe e fundjma e Atit të Shenjtë në bjeshkë. Të dielën e ardhshme do ta kremtojë Engjëllin e Tënzot në Kastel Gandolfo.
Të pranishëm në kremtim edhe Patriku i Venedikut, imzot Angjelo Scola dhe kryeipeshkvi i Hong Kongut, imzot Zen Ze-kiun
E dita e sotme kurorëzoi javën e dytë të pushimeve të Atit të Shenjtë, ditët e së cilës kaluan me shëtitje në vendet tradicionale të kultit, me pushim, studim e shërbim.
Kujtojmë se të enjten e kaluar në Lorencago ishte kardinali Tarçizio Bertone, i cili mbajti në Pieve të Kadores, një konferencë shtypi, kushtuar veprimtarisë së tij njëvjeçare si sekretar i Shtetit të Vatikanit. Gjatë takimit u prekën problemet më të mprehta aktuale: nga kriza ndërkombëtare, tek zhdëmtimi për rastet e pedofilisë në Los Ánxhelos; nga letra e Atit të Shenjtë drejtuar katolikëve kinezë, tek shtegtimi i Papës në Brazil.
Ndërsa të premtën - festa për praninë e Papës në Kadore vijoi me koncertin e organizuar për nder të Benediktit XVI nga koret e malësorëve, që kënduan në Kështjellën e Mirabelos, pranë së cilës banon Papa këto ditë pushimi.
Ishte një çast festiv me këngë, që janë pjesë përbërëse e kulturës të dioqezës së Beluno-Feltres, kryesisht këngë polifonike, por edhe këngë popullore: e të gjithë e dinë se Papës-muzikant i pëlqen shumë ky tip kënge, gjë që e shprehu në fund të koncertit kur, duke falënderuar artistët, theksoi se burimi i këngës është dashuria e se kënga është shprehje e dashurisë. Të këndosh në kor do të thotë të edukohesh për jetën, për paqen, për të ecur të gjithë së bashku – tha Papa dhe, si falënderoi Zotin që tani Evropa jeton në paqe, i nxiti të gjithë të bëjnë ç’ është e mundur që mbarë njerëzimi të gëzojë dhuratën e paqes. Por në Kadore pritet me interes të madh një takim tjetër i rëndësishëm i Papës: të martën e ardhshme, nga ora 11 deri në orën 12, Benedikti XVI do të takohet me klerin e dioqezës së Trevizos e të Belunos. Është vetë kleri që ia kërkoi këtë takim Atit të Shenjtë, e Papa pranoi. Do të mbahet në Kishën e Shën Gjystinës në Auronco të Kadores e do të jetë një shkëmbim pyetjesh e përgjigjesh, për orientimin e klerit vendas në zgjidhjen e problemeve që vërehen në zonë. Kanë të bëjnë sidomos me të rinjtë, me formimin, me edukimin e me përballimin e të gjitha rreziqeve aktuale të botës rinore, duke nisur nga problemi i alkoolizmit, i vetvrasjeve të shumta e probleme të tjera të veprimtarisë baritore me rininë.







All the contents on this site are copyrighted ©.