2007-07-20 19:05:26

Zbulimi i liqenit në Darfur rrit shpresat për paqen


(20.07.2007 RV)Është gjetur një liqen i madh i nëndheshëm në Darfur të Sudanit, që i jep shpresa më të mëdha për paqen këtij rajoni të martirizuar: Është pikërisht kontrolli i ujit arësyeja për të cilën ka filluar lufta ndërmjet blegtorëve të Darfurit dhe bujqve të zonës. Që nga viti 2003, kjo luftë ka shkaktuar 200 mijë viktima dhe mëse 2 milion të zhvendosur. Liqeni, i gjetur nga specialistët e Universitetit të Bostonit, ka një sipërfaqe prej 30 mijë kilometrash katrorë. A mund ta ndryshojë fatin e zonës? Përgjigjet Domeniko Kuiriko, afrikanist i gazetës italiane “La Stampa”:
RealAudioMP3 Po, megjithëse kur flitet për kriza afrikane, fjala “shpresë” duhet përdorur me shumë kursim, për të mos krijuar iluzione. Konflikti ndërmjet bujqve dhe blegtorëve për kontrollin e puseve të pakta të ujit ka qenë një nga arësyet e krizës, sepse mbi të u bënë më pas një seri manovrash shumë të ndërlikuara e pak të deshifrueshme. Nëse problemi do të zgjidhet pjesërisht ose plotësisht, sigurisht do të ndihmonte në gjetjen e rrugëdaljes. Por, duhet të themi, se çelësi i krizës është në strategjitë e manovrat e regjimit të Khartumit, i cili është manovruesi i vërtetë i situatës. Është gjithashtu në aftësinë, apo vullnetin e Perëndimit e të OKB-së të bëjnë diçka.







All the contents on this site are copyrighted ©.