KS i OKB-së ia kalon çështjen e Kosovës Grupit të Kontaktit. I pamundur votimi.
(20.07.2007 Çështja e Kosovës
nuk gjen zgjidhje në Këshillin e Sigurimit dhe i kalon Grupit të Kontaktit. Sot,
Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të pezullojë diskutimet mbi projektrezolutën
e Kosovës. Në emër të vendeve sponsorizuese të projektrezolutës, ambasadori francez
Zhan-Mark lë Sablier deklaroi për shtypin: “Na vjen keq, që nuk jemi në gjendje të
sigurojnë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit… Diskutimet do të vazhdojnë në gjirin
e Grupit të Kontaktit, me të gjitha palët”. Grupi përbëhet nga Britania e Madhe, Franca,
Italia, Gjermania, SHBA-të dhe Rusia, por asnjëri nga vendet nuk ka të drejtë vetoje.
Gjithsesi, vendet sponsorizuese të projektrezolutës përsëritën mbështetjen e tyre
ndaj planit të Ahtisarit. Sot, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku deklaroi se data
e 28 nëntorit, do të ishte një rast i mirë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Do të festohej në të njëjtën ditë me pavarësinë e Shqipërisë, e cila përkujtohet nga
shqiptarët kudo që ndodhen në botë. Për momentin, propozimi i Çekut mbetet vetëm një
mendim personal, por reflekton qartë stanjacionin në bisedimet ndërkombëtare, që e
detyrojnë Prishtinën të ndërmarrë hapa të njëanshme. Ekipi i Unitetit të Kosovës do
të takohet të hënën në Uashington me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs,
me të cilën do të bisedohen rrugët e mundshme të daljes nga situata.